

PRISHTINË – Ka nisur të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës gjykimi në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për Masakrën e Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.
Të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte kundër popullsisë civile, përfshirë vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të civilëve.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, të pandehurit dyshohet se kanë marrë pjesë në një operacion të forcave policore dhe ushtarake serbe në fshatin Reçak të Shtimes, ku më 15 janar 1999 u vranë 42 civilë shqiptarë.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë vepruar si pjesëtarë të strukturave të atëhershme të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, individualisht, në bashkëkryerje dhe në kuadër të përgjegjësisë komanduese.
Në mesin e të akuzuarve janë ish-zyrtarë dhe pjesëtarë të forcave serbe, mes tyre Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq dhe persona të tjerë.
Prokurori Ilir Morina kërkoi që procesi të zhvillohet në mungesë, duke argumentuar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore, pasi të akuzuarit janë të paarritshëm për autoritetet e Kosovës.
Kërkesa e Prokurorisë u pranua nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, e cila deklaroi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për njoftimin e të pandehurve.
Sipas gjykatës, të akuzuarit ndodhen në Serbi dhe nuk janë paraqitur në adresat e tyre të mëparshme në Kosovë. Për ta janë lëshuar fletëarrestime në Kosovë dhe më pas urdhër-arreste ndërkombëtare.
Prokuroria bëri të ditur se në vitin 2021 u janë dërguar thirrje të gjithë të pandehurve përmes procedurave të ndihmës juridike ndërkombëtare, por nuk ka marrë përgjigje.
Gjykimi ishte planifikuar të niste më 20 korrik, por ishte shtyrë për shkak të mungesës së kushteve ligjore.
Një nga të mbijetuarit e Masakrës së Reçakut, Ramë Shabani, deklaroi se edhe një vendim gjyqësor nuk do të sillte drejtësi të plotë nëse të akuzuarit nuk do të jenë fizikisht në bankën e të akuzuarve.
“Unë jam që të ketë verdikt të drejtë. Por kjo nuk mund të sjellë drejtësi. Ata persona nuk hyjnë më në Kosovë dhe ne nuk do të mund t’i kapim kurrë”, tha ai.
Gjykimet në mungesë në Kosovë u mundësuan pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale në vitin 2022. Sipas ligjit, ato mund të zhvillohen vetëm pasi autoritetet të kenë shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e pranisë së të akuzuarve.
Personat e gjykuar në mungesë kanë të drejtë të kërkojnë rigjykim pa kushte në rast se arrestohen më vonë.
Masakra e Reçakut u bë një nga ngjarjet që ndikuan në rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj regjimit të atëhershëm serb dhe luajti rol në zhvillimet që çuan në ndërhyrjen e NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë në vitin 1999.
Dokumentimi i ngjarjeve në Reçak u bë edhe nga William Walker, i cili në atë kohë drejtonte Misionin Verifikues të OSBE-së në Kosovë.
Ndërkohë, hetimet për krimet e kryera në Reçak vijojnë edhe në një tjetër procedurë të njohur si “Reçaku II”, ku në qershor të këtij viti Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës arrestuan pesë persona të dyshuar për pjesëmarrje në operacionin e janarit 1999.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






