

LIBOHOVË – Propozimi për shkrirjen e Bashkisë së Libohovës dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Gjirokastrës ka shkaktuar reagimin e kryebashkiakut Leonard Hide, i cili ka dalë kundër këtij ndryshimi në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Hide u ka bërë thirrje deputetëve të qarkut dhe qytetarëve të Libohovës që të kundërshtojnë projektin, duke argumentuar se ruajtja e bashkisë është e lidhur me përfaqësimin e komunitetit, identitetin historik dhe interesat lokale.
Sipas propozimit të Partisë Socialiste për reformën territoriale, Bashkia Libohovë është ndër 15 bashkitë që parashikohet të shkrihen dhe t’i bashkohen një bashkie më të madhe. Në rastin e Libohovës, bashkimi i propozuar është me Bashkinë e Gjirokastrës.
Hide: Libohova ndodhet përballë një rreziku real
Në reagimin e tij publik, kryebashkiaku Leonard Hide deklaroi se çështja nuk duhet parë si një interes politik, por si një përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Ai u kërkoi deputetëve që të përdorin çdo mundësi parlamentare për të mbrojtur vijimin e ekzistencës së Bashkisë Libohovë.
Sipas tij, një vendim për shkrirjen e bashkisë do të cenonte përfaqësimin lokal dhe do të ndikonte në marrëdhënien e qytetarëve me institucionet.
“Libohova nuk kërkon privilegje. Kërkon drejtësi, përfaqësim dhe respekt për historinë, identitetin dhe të ardhmen e saj”, është shprehur Hide në reagimin e tij.
Kryebashkiaku deklaroi gjithashtu se nuk do të marrë pjesë në procese apo takime ku, sipas tij, nuk mbrohen qartë interesat e komunitetit të Libohovës.
Reforma e re territoriale, PS propozon uljen nga 61 në 46 bashki
Drafti i propozuar nga Partia Socialiste parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 aktualisht në 46, ndërsa disa njësi vendore do të bashkohen me bashki më të mëdha.
Sipas mazhorancës, qëllimi i reformës është rritja e funksionalitetit të pushtetit vendor, përmirësimi i menaxhimit financiar dhe krijimi i njësive më të afta për të realizuar projekte zhvillimi.
Në këtë kuadër, qeveria ka argumentuar se bashkitë e vogla shpesh kanë kapacitete të kufizuara financiare dhe administrative, duke e bërë të vështirë ofrimin e shërbimeve dhe zhvillimin e investimeve.
Kundërshtimet nga zonat që preken
Përveç Libohovës, edhe disa bashki të tjera që përfshihen në draft kanë shfaqur kundërshtime ndaj ndryshimeve të propozuara. Mes tyre janë edhe Memaliaj dhe njësi të tjera vendore që humbasin statusin e bashkisë.
Kundërshtarët argumentojnë se bashkimi i njësive të vogla me qendra më të mëdha mund të sjellë largimin e vendimmarrjes nga qytetarët dhe dobësimin e vëmendjes ndaj zonave periferike.
Çfarë parashikon modeli i ri
Sipas propozimit të mazhorancës, zonat që humbasin statusin e bashkisë nuk do të zhduken si qendra administrative. Ato parashikohen të kenë forma të veçanta përfaqësimi, përfshirë rolin e nënkryetarëve dhe përfaqësimin në këshillat bashkiakë.
Reforma pritet të kalojë në fazën e konsultimeve dhe debatit parlamentar përpara votimit përfundimtar.
Për Libohovën, beteja tashmë është kthyer në një nga çështjet më të ndjeshme të reformës territoriale, pasi prek jo vetëm organizimin administrativ, por edhe një debat më të gjerë mbi rolin e komuniteteve të vogla në strukturën e re të pushtetit vendor.
Reagimi i Leonard Hidës:
Të nderuar deputetë të qarkut, të zgjedhur me votën e qytetarëve që përfaqësoni,
Sot nuk ju drejtohem për interes politik, por për përgjegjësinë që buron nga besimi që qytetarët kanë vendosur mbi ju.
Libohova ndodhet përballë një rreziku real. Nëse kjo reformë do të çojë në shkrirjen e Bashkisë sonë, atëherë momenti për të vepruar është tani, jo pasi vendimi të jetë marrë.
Ju jeni zëri ynë në Kuvendin e Shqipërisë. Vota që mbani në Parlament nuk është vetëm një e drejtë kushtetuese, ajo është besimi i mijëra qytetarëve që ju zgjodhën për t’i përfaqësuar dhe për t’i mbrojtur kur preken interesat e tyre.
Prandaj ju bëj thirrje të përdorni çdo mundësi parlamentare dhe politike për të mbrojtur të drejtën e Libohovës për të vazhduar të ekzistojë si bashki. Nëse kjo çështje vjen për votim në Kuvend, ju kërkoj të jeni në lartësinë e mandatit që ju është besuar dhe të mbroni me bindje interesin e komunitetit që përfaqësoni.
Historia nuk i kujton ata që heshtën në momentet vendimtare, por ata që patën guximin të ngriheshin në mbrojtje të qytetarëve të tyre. Sot keni mundësinë të dëshmoni se vota e qytetarëve nuk ishte thjesht një mandat për të qenë në Parlament, por një përgjegjësi për të qenë në krah të tyre kur e ardhmja e vendit të tyre vihet në rrezik.
Libohova nuk kërkon privilegje. Kërkon drejtësi, përfaqësim dhe respekt për historinë, identitetin dhe të ardhmen e saj.
Qëndrimi im personal është ky.
Sot zgjedh të jem në krah të qytetarëve të mi, ashtu siç kam qenë gjithmonë. Ky nuk është një qëndrim i diktuar nga rrethanat, por një parim që më ka udhëhequr në çdo hap të rrugëtimit tim. Nuk mund të jem askund tjetër veçse pranë njerëzve që më kanë besuar dhe pranë vendit që më ka rritur.
Për këtë arsye, deklaroj se, deri në sqarimin përfundimtar të fatit të Bashkisë Libohovë, nuk do të jem pjesë e asnjë takimi apo procesi ku nuk mbrohen qartë të drejtat dhe interesat legjitime të Libohovës dhe të komunitetit të saj. Prania ime nuk mund të shërbejë për të legjitimuar heshtjen përballë një padrejtësie që rrezikon të ardhmen e vendit tim.
Do të jem në çdo tryezë ku mbrohet zëri i Libohovës dhe ku kërkohen zgjidhje në interes të saj.
Sot, si gjithmonë, zgjedh të jem në krah të qytetarëve të mi, sepse mbiemri ynë i dytë është LIBOHOVA.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






