Transmetuar më 31-07-2026, 14:41

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ndaj krizës migratore në Ceuta, duke deklaruar se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë hyrjen e emigrantëve të parregullt pa respektimin e rregullave të bllokut.

“Imazhet që vijnë nga Ceuta janë të papranueshme. Nuk mund të lejojmë askënd të hyjë në Bashkimin tonë pa respektuar rregullat tona. Kalimet e rrezikshme duhet të ndalen menjëherë, rrjetet e kontrabandës duhet të çmontohen dhe kthimet duhet të kryhen me shpejtësi, në përputhje me rregullat tona”, shkroi Von der Leyen në rrjetin social X.

Deklarata e saj vjen në një moment kur Ceuta, territori autonom spanjoll në Afrikën e Veriut dhe kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian, po përballet me një fluks të lartë emigrantësh, duke rikthyer në qendër të debatit politikën evropiane të migracionit dhe mbrojtjen e kufijve.

Von der Leyen bëri të ditur se Komisioneri për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, po bashkëpunon ngushtë me autoritetet spanjolle dhe është i gatshëm të vizitojë zonat më të prekura. Sipas saj, Brukseli do të ofrojë mbështetje shtesë operacionale për Spanjën, përfshirë edhe përmes agjencisë evropiane të kufirit, Frontex.

Njëkohësisht, Komisionerja për Mesdheun, Dubravka Šuica, është në kontakt me autoritetet marokene për të koordinuar përgjigjen ndaj situatës, ndërsa Komisioni Evropian shpreson se bashkëpunimi me Marokun do të ndihmojë në menaxhimin e krizës dhe frenimin e flukseve të paligjshme migratore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit