Transmetuar më 31-07-2026, 14:25

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë shprehur gatishmërinë për të rifilluar bisedimet për formimin e institucioneve të reja, pas pezullimit disa javë më parë të negociatave.

Procesi ishte ndërprerë nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ishte përballur me një votëbesim brenda partisë, por arriti të ruajë postin e tij. Pas këtij zhvillimi, të dyja palët janë shprehur të gatshme të rikthehen në tryezën e negociatave, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar për 6 gusht.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e partive parlamentare për përgatitjen e agjendës së seancës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes forcave politike.

Nga ana e LVV-së, deputetja Arbërie Nagavci deklaroi se pret rifillimin e bisedimeve me LDK-në, duke theksuar se vendi ka nevojë për funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve. Ndërkohë, Lumir Abdixhiku bëri të ditur se pezullimi i negociatave është hequr dhe se LDK mbetet e hapur për diskutime.

Edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, konfirmoi gatishmërinë për dialog, megjithëse tha se ende nuk ka një ftesë zyrtare për takim nga lideri i LVV-së, Albin Kurti.

LVV fitoi zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit me 53 mandate dhe, së bashku me deputetët e pakicave joserbe, pritet të sigurojë shumicën për krijimin e Qeverisë. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit të ri nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në Kuvend, çka e bën të rëndësishëm një marrëveshje me LDK-në, e cila ka 18 mandate.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit