

Meteorologia Lajda Porja parashikon se temperaturat e larta do të vijojnë edhe gjatë muajve shtator dhe tetor, duke bërë që vera të zgjasë më shumë se zakonisht. Sipas saj, vjeshta do të jetë e vonuar dhe pritet të nisë gjatë muajit nëntor, ndërsa efektet e saj mund të shtrihen deri në janar.
E ftuar në emisionin “Wake Up”, Porja u shpreh se shtatori do të jetë një muaj i favorshëm për pushime në bregdet, me temperatura të larta dhe mot të qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, ajo paralajmëroi se vjeshta do të karakterizohet nga reshje të dendura, stuhi dhe fenomene të forta atmosferike, si pasojë e temperaturave të larta të regjistruara gjatë muajve të verës.
Sipas meteorologes, ngrohja e sipërfaqes së deteve dhe tokës ka krijuar kushtet për zhvillimin e stuhive me intensitet të lartë, të cilat mund të sjellin reshje të përqendruara në një kohë të shkurtër, duke rritur rrezikun e përmbytjeve.
Porja theksoi gjithashtu se në rajonin e Mesdheut po shfaqen fenomene atmosferike gjithnjë e më të pazakonta, përfshirë stuhi me karakteristika të ngjashme me uraganët, një tregues i ndryshimeve klimatike që po ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe në zonën tonë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






