

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, ka prezantuar propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, duke garantuar se bashkitë që do të bashkohen nuk do të humbasin përfaqësimin dhe shërbimet për qytetarët.
Sipas Maznikut, çdo ish-bashki që do të përfshihet në një strukturë më të madhe do të ketë një nënkryetar të dedikuar, ndërsa qytetarët do të vijojnë të marrin të gjitha shërbimet në të njëjtat zyra ku i marrin edhe aktualisht.
Duke marrë si shembull Elbasanin, Cërrikun dhe Belshin, ai tha se secili prej këtyre qyteteve do të ketë përfaqësim në strukturën e re përmes një nënkryetari dhe një kuote proporcionale në këshillin bashkiak, me qëllim ruajtjen e identitetit dhe funksionalitetit të çdo territori.
Mazniku sqaroi se ndryshimet do të prekin kryesisht planifikimin strategjik, si buxhetin, zhvillimin urban, zhvillimin ekonomik dhe organizimin e shërbimeve, ndërsa shërbimet e përditshme për qytetarët nuk do të zhvendosen nga zonat ku ofrohen aktualisht.
Ai theksoi gjithashtu se reforma duhet të miratohet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet mbi bazën e hartës së re administrativo-territoriale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






