Transmetuar më 31-07-2026, 13:36

Partia Demokratike ka kundërshtuar propozimet e mazhorancës për reformën e re territoriale, duke akuzuar qeverinë se po ndjek të njëjtën logjikë si reforma e vitit 2014. Bashkëkryetari i grupit të punës së PD për këtë reformë, Luçiano Boçi, deklaroi se ndarja e propozuar nga socialistët nuk bazohet në analiza ekonomike apo sociale, por sipas tij, në interesa politike.

Boçi tha se bashkimet e propozuara mes disa njësive vendore, si Librazhdi me Prrenjasin, Memaliaj me Tepelenën apo Elbasani me Cërrikun e Belshin, nuk kanë lidhje funksionale dhe mund të largojnë më shumë qytetarët nga shërbimet publike.

Sipas deputetit demokrat, reforma territoriale duhet të nisë nga nevojat e qytetarëve dhe jo nga përcaktimi i numrit të bashkive. Ai akuzoi mazhorancën se po përgatit një hartë të re politike, e cila, sipas tij, do të sjellë më pak përfaqësim, më pak shërbime dhe rritje të largimit të banorëve nga zonat rurale.

“Ky projekt nuk nis nga qëllimi që duhet të ketë pushteti vendor, por nga pasojat e një modeli të dështuar”, u shpreh Boçi, duke theksuar se decentralizimi, autonomia financiare dhe afërsia e shërbimeve me qytetarin duhet të jenë baza e reformës.

PD ka prezantuar edhe alternativën e saj, ku propozon rritjen e numrit të bashkive, rikthimin e kompetencave dhe rritjen e financimit për pushtetin vendor. Sipas Boçit, vendimi për hartën e re territoriale nuk duhet të merret vetëm në Kuvend, por duhet t’i nënshtrohet edhe një procesi referendumi.

Ai argumentoi se ndryshimet në kufijtë administrativë duhet të marrin më parë mendimin e komuniteteve të prekura dhe se qytetarët duhet të vendosin për modelin e ri të organizimit vendor.

Ndërkohë, reforma territoriale mbetet një nga çështjet kryesore të debatit politik, me mazhorancën dhe opozitën që paraqesin modele të ndryshme për organizimin e pushtetit lokal.

FJALA E PLOTE:

Në komision shumica ishin të kënaqur, disa prej tyre ndoshta dhe të kënaqur që po shkriheshin. Në përgjithësi ishin të kënaqur. Nuk na sollën as mashtrimet e PS-së për gjëja kërkesë nga BE-ja për plotësimin e kushteve për anëtarësimin e BE-së, nuk ka kapitull apo grup-kapitujsh në raport me pushtetin vendor që Shqipëria duhet t’i përmbushë.

Vetëm duhet të respektojë Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe kriteret dhe parimet e kësaj karte. Këto janë një shtytës sikurse dhe pjesa tjetër e marrëdhënies së Partisë Demokratike me ndërkombëtarët, të cilët kërkonin vazhdimisht stensionim të situatës së konfliktualitetit politik dhe sigurisht domethënë dhe të gjykimit tonë që një reformë territoriale e cila nuk mund të jetë vetëm administrative, vetëm strukturore, nuk mund të jetë vetëm reformë kompetencash, por duhet të ishte dhe territori, duhet të kalojë dhe nëpërmjet dakordësisë së opozitës.

Dhe është një reformë që impakton vendin për shumë vite. Ajo që na solli në komision, realisht ka qenë pikërisht kërkesa e qytetarëve që sot ka marrë formën e protestës në fakt. Dhe e konkluduar në formë figurative, na ka sjellë ajo harta që duhet ta fokusonit, është drama e vërtetë që doktori e cilësoi, është shpopullimi i Shqipërisë.

Në pikat e kuqe në kuadratet keni intensitetin e shpopullimit dhe intensiteti më i madh shihet qartazi që është në zonat rurale. Kjo është arsyeja themelore për të cilën ne morëm pjesë me dëshirën dhe përkushtimin për të realizuar një reformë e cila e kthen pushtetin vendor tek qytetari, përcakton një standard shërbimesh, e përfaqëson qytetarin dhe sigurisht qytetari mund të kërkojë llogari për gjithçka që ai pret të realizohet nga pushteti vendor.

Por nuk gjetëm atë gatishmërinë brenda komisionit nga pjesa e mazhorancës, për shkak, thashë, të pasjes së një projekti paraprak dhe për shkak të përcaktimit të një harte thjesht politike, elektorale nga ana e tyre që nuk është gjë tjetër veçse përsëritje e hartës së 2014-ës, por tashmë duke hequr një pjesë të bashkive që për hir të së vërtetës, ishin bashki që u shtuan 24 orët e fundit të 2014-ës. Pra është një hartë e ardhur nga PS-ja, elektorale e vjetër, e sjellë në një pamje të re. Është këngë e vjetër me muzikë të re.

Është po e njëjta hartë që rrezikon, që të sjellë po ato pasoja që sot ne i përjetojmë, që u parashtruan këtu, dhe që kanë mbjellë diskriminim, mos-shërbim, mos-përfaqësim, mosdhënie llogarie, mungesë kompetencash, mungesë autonomie, mungesë demokracie. Dhe ky projekt që PS-ja ka sjellë, në fakt, niset jo nga qëllimi që duhet të ketë pushteti lokal. Niset nga pasoja e pushtetit lokal dhe në parashtrimet e tyre ata kanë argumentuar që kjo hartë buron nga demografia, nga shpopullimi, buron nga mungesa e kompetencave, që është pasojë e keqqeverisjes.

Mungon, erdhën sepse mungojnë dhe funksionet, mungojnë të gjitha indikatorët e një demokracie të shëndoshë në mënyrën si funksionon pushteti vendor në Shqipëri. Në konceptin tonë, një reformë territoriale ka për qëllim të rrisë funksionalitetin e pushtetit vendor për t’i shërbyer më mirë qytetarit, për ta përfaqësuar dhe që ai të kërkojë llogari dhe që siguron një zhvillim të njëtrajtshëm të territorit të bashkisë, por edhe një zhvillim të njëtrajtshëm pothuajse të gjithë vendit.

Dhe sigurisht ka parimet e veta. Demokracia vendore është parim, autonomia është parim, subsidiariteti është parim, zhvillimi i vetë është parim, dhe mbi bazën e këtyre parimeve dhe qëllimeve ndërtohen dhe mjetet. Mjetet janë funksionet, janë kompetencat, janë financat, është administrata, dhe pas tyre vijnë pasojat që unë i citova. Duhet të nisemi nga qëllimet, prandaj sot ne jemi me dy projekte të ndryshme. Një projekt që niset nga konsolidimi, nga centralizimi, për të prodhuar gjëja decentralizim, rrugë tashmë e provuar që nuk mund të pritet pasojë e ndryshme nga ajo çka ka prodhuar. Dhe një filozofi tjetër që niset nga decentralizimi, nga shërbimi, nga afërsia e shërbimit, nga cilësia e tij, nga përfaqësimi i qytetarit dhe nga llogaridhënia që duhet të ketë qytetari në raport me pushtetin vendor dhe nga tendenca për të zhvilluar territoret në gjithë Republikën e Shqipërisë.

Faktet janë tronditëse. Mjafton Tirana, u tha fakti këtu. Mos ikim shumë larg, në zona më të thella. Diferenca zhvillimore e qendrës së Tiranës në raport me periferinë është ulëritëse. Kjo ka ardhur pikërisht për ato shkaqe që ishin pasojë që erdhën nga reforma e 2014-ës, që sot rrezikojnë përsëri të përsëriten sepse ajo që është paraqitur nuk është afrim i shërbimeve, nuk është cilësi e shërbimeve, është largim më i madh i qytetarit nga qendra dhe mospërfaqësim i tij. Në qoftë se ne marrim shembujt, dhe jemi tek pjesa që dua të atakoj projektin e PS-së.

Pse bashkohet Librazhdi me Prrenjasin? A ka një arsye? A është demografia? A është zhvillimi ekonomik? A është përbashkësia e territorit? A është identiteti i tyre i njëjtë? Jo, është krejtësisht i ndryshëm. Të gjitha këto janë të ndryshme, dhe shumë mirë ato si njësi vendore mund të ishin të veçuara. Por këtu hyn gjithmonë llogaria politike, që është më e thjeshta që bëhet në të tilla raste, madje me një mbitendosje subjektive të dëshirës së deputetëve të zonës, ose të themi të kryetarit të grupit parlamentar që e di që e ka bajrakun e tij, mund ta ndajë, ta bashkojë sipas interesave dhe sipas numrit të votave.

Pse bashkohet Memaliaj me Tepelenën? Memaliaj ka krejt natyrë tjetër identitare, Tepelena ka natyrë tjetër, kanë specifikat e tyre të zhvillimit të ndryshme nga njëra-tjetra dhe nuk mund të qëndrojnë bashkë. Po kështu dhe bashkimet e tjera që janë ofruar. Qëllimi në fakt është më se politik, dhe shihet qartazi tek pjesa e zgjedhjes së Elbasanit. Doja të ndalesha pak këtu, duke ju marrë kohën, sepse jo rastësisht drejtuesi politik është bashkëkryetari i reformës dhe në mënyrë absurde, duke e njohur mirë si qark, si bashki, Elbasani bashkohet tashmë, sipas projektit të PS-së, me Cërrikun dhe me Belshin, me të cilat nuk ka asnjë lloj lidhje identitare apo të karakterit të natyrës së zhvillimit, po vetëm rrit distancën e banorit të Sulovës nga Elbasani, apo të banorit të Belshit, të Fierzës nga qendra, që tashmë do jetë në Elbasan, largon shërbimin, ul cilësinë, largon përfaqësimin dhe nxit atë që është shqetësimi kryesor, nxit shpopullimin.

Njëherazi, produkti që ka sjellë Partia Socialiste nuk është ligjor. Produkti duhet të ishte pjesë e punës së komisionit. Komisioni në konstituimin e tij përcaktoi projekt-kalendarin, hapat që do ndiqte për të pasur në fund të punës së tij dhe raportet finale. Unë në fakt e kam atakuar dhe në daljet e mia në parlament, por dua ta bëj dhe këtu. Keni të shfaqur në ekran pikërisht projekt-kalendarin e punës së komisionit, dhe qartazi komisioni e ka ndërprerë punën e tij në raundin e parë në konsultime dhe dëgjesa publike në 12 qarqe.

Dëgjesa e Tiranës nuk u realizua, mos harrojmë që në Tiranë jeton 1/3 e popullsisë, ndërkohë që duhet të kishim si analizë paraprake dokumentin mbi gjetjet e rathit njëshit të reformës së 2014-ës, sepse kjo analizë do përcaktonte më pas metodologjinë, kriteret dhe parimet mbi bazën e së cilës do ndërtohej raporti final. Dhe siç e shihni, të gjitha dëgjesat e tjera, e vendit me institucionet ndërkombëtare, marrja e mendimeve nëpërmjet sondazhit nuk është bërë, konsultimet dhe dëgjesat teknike, zhvillimi i vizitave studimore nuk është realizuar.

Nuk ka publikuar asnjë dokument politik. Komisioni nuk ka debatuar asnjë opsion, prezantimi i dy tre varianteve nuk ka ndodhur në asnjë moment dhe diskutime për paketën ligjore nuk ka ndodhur, sikurse dhe kërkesa që do t’i dërgohej për mendim Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Konsultativ. Gjë që nuk është realizuar, por PS-ja nga pika tre ka kaluar në një kapërcim pindaressk në pikën 16 dhe depozitoi ditën e fundit të punës së komisionit, pa pasur autoritet tek komisioni, një projekt final që e thamë që ishte i paracaktuar dhe i parapërgatitur dhe ishte një projekt tërësisht politik. Ekspertët tanë punuan për raportin e vlerësimit.

Është ky raport që unë e paraqes sot. Raporti i vlerësimit ishte baza nga do niste më pas edhe hartimi i raportit final të komisionit, mundësisht konsensual, por mund të parashikohej që secila prej palëve mund të paraqiste raportin e vet final. Në hapje të fjalës sime unë përdora fjalën pothuajse final sepse në fakt edhe raporti ynë nuk ka ndjekur hapat e punës së komisionit, por ka kompensuar punën e komisionit.

Ne kemi ndërtuar me kohë një faqe ëeb ku kemi bërë një sondazh, kemi marrë mendimet e banorëve të zonave të caktuara, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësues të zonave, kemi marrë opinionet e tyre në takime të ndryshme. Deputetët tanë kanë qenë të shpërndarë në zonat e tyre, drejtuesit politikë gjithashtu, dhe kanë sjellë propozime reale konkrete nga terreni në raport me kërkesat për një ndarje të re territoriale.

Sigurisht, kjo nuk e kompeson punën e komisionit aspak, këtë nuk mund ta pretendoj. Unë gjykoj dhe kërkoj që ky raport që është pothuajse final, të bëhet final dhe të vazhdojë të realizojë dëgjesat e tij me komunitetet sipas kërkesave. Kërkesat mund të jenë kërkesa që shtojnë numrin e bashkive se ka ende kërkesa të tilla. Sikurse ka ose mund të ketë kërkesa për bashkim të njësive bashkiake. Ndërkohë që në monitor janë shfaqur lista e kërkesave, në fakt që janë kërkuar, aty duhet të jetë dhe Poliçani, aty është edhe Fushë-Arrëzi.

Aty janë dhe kërkesat e shumë komuniteteve të tjera që sot janë të zhgënjyer nga harta që ka paraqitur Partia Socialiste në mënyrë unilaterale, pa u konsultuar, dhe duke e ndërprerë në mënyrë absurde gjithë komunikimin në komisionin e reformës për një argument i cili është relativ për arsye kohore. Ne kërkuam zgjatjen e afateve të komisionit por nuk u pranua.

Gjithsesi puna jonë ka qenë reale, konkrete. Në analizën, në raportin e vlerësimit u përcaktuan qartazi metodologjia dhe u vazhdua me pjesën e kritereve dhe me pjesën e parimeve. Për pasojat dhe rezultatet e 2014-ës, këtu u fol, unë nuk po përqendrohem. Metodologjia është e tillë, bën vlerësimin dhe monitorimin e objektivave të rathit njëshit, me rezultatet në praktikë, duke evidentuar shkakun e problemit, pasojat për qytetarët, nxjerrjen e mësimeve, propozuam dhe kritere për reformën e 2026-ës.

Propozuam zgjidhje për këtë reformë dhe unë mendoj që ishte një metodologji efikase. Përcaktuam kritere ashtu siç duhet realizuar një punë për të bërë një reformë të besueshme për publikun, por edhe për atë çka e pret Shqipërinë në zhvillimet e saj 20 apo 30 vjeçare. Kriteret kryesore që përcaktuam ishin efikasiteti i administratës, qëndrueshmëria financiare, demokracia dhe përfaqësimi, zhvillimi ekonomik, aksesi i qytetarëve në shërbime.

Dhe patjetër që kritere po kaq të rëndësishme konsideruam dhe demografinë, identitetin historik, kohezionin social, mjedisin, inovacionin, integrimin evropian. Pas kritereve përcaktuam parimet. Parimet janë shumë të qarta, parimi i balancimit të masës së njësive vendore, në vend të asimetrisë ekstreme, siç është raporti 1 me 290 midis Pustecit dhe Tiranës, e vendos një interval marrëdhënie që siguron një raport logjik me referencat, me normat e OECD-së dhe modelet ballkanike, por dhe evropiane, duke shmangur polarizimin midis metropolit dhe vendbanimeve rurale. Parimi tjetër është parimi i optimizimit të masës funksionale.

Njësitë e reja dimensionohen sipas kriterit të masës optimale për efikasitet administrativ dhe shërbimesh, jo më të nënshtruar ndaj kufijve të vjetëruar të censusit të 2011-ës. Parimi tjetër është parimi i autonomisë fiskale dhe decentralizimit të burimeve. Ndarja e re territoriale shoqërohet me transferim të autoritetit fiskal dhe të burimeve, jo vetëm të kompetencave, duke ulur kështu varësinë strukturore nga buxheti qendror dhe duke mbushur zbrazëtinë e përshkruar në analizat e Këshillit të Evropës. Parimi i ridimensionimit të hierarkive urbane.

Ndarja e re ndërtohet e balancuar ndërmjet hierarkive urbane dhe ndërton të tilla qendra urbane dhe qendra metropole, qendra të ndërmjetme rajonale dhe njësi bazike në vend të zbrazëtisë aktuale urbano-rurale. Parimi tjetër është parimi i kohezionit ekonomiko-territorial. Me ndarjen e re territoriale njësitë e reja bashkojnë profilet ekonomike të përputhshme ose plotësuese, duke shmangur tensionet midis qendrave bregdetare, urbane dhe vendbanimeve rurale, malore, të ndërvarura në mënyrë asimetrike me burimet fiskale dhe standardet e shërbimeve. Parimi tjetër, parimi i përfaqësimit demokratik të balancuar.

Dhe autoritetet, sipas këtij parimi vendor, duhet të jenë afër qytetarit. Ndarja territoriale duhet të zbërthejë megabashkitë në njësi më të vogla që ruajnë aftësinë vendimmarrëse në nivel komunitar me përfaqësim real të komuniteteve rurale dhe malore periferike.

Pas parimeve u përcaktuan dhe katër shtyllat e reformës së 2026-ës. Propozimi ynë u ndërtua mbi katër sisteme të pandashme, të cilat në fakt funksionojnë si një arkitekturë e vetme e qeverisjes vendore. Sistemi territorial, organizimi i bashkive dhe i nivelit të dytë të qeverisjes, mbi kritere objektive, funksionale dhe të qëndrueshme.

Në fushën e organizimit territorial çështja nuk u përqendrua fillimisht tek numri i bashkive, por tek modeli i organizimit dhe i funksionimit të tyre, të funksioneve të territoreve të mëdha. Sistemi administrativ dhe funksional, ndarja e qartë e kompetencave, organizimi institucional dhe ofrimi efektiv i shërbimeve publike.

Në fushën e qeverisjes qëllimi ishte thellimi i procesit të decentralizimit dhe përcaktimi më i qartë i kompetencave ndërmjet niveleve të qeverisjes. U synua ngritja e një administrate më profesionale, më efikase, si dhe përmirësimi i përfaqësimit të komuniteteve në vendimmarrjen vendore. Gjithashtu u parashikua brenda raportit, krijimi i një sistemi zgjedhor që do të forconte lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe bashkive, duke rritur llogaridhënien dhe përfaqësimin demokratik. Sistemi financiar, decentralizim fiskal real, autonomi financiare dhe burime të mjaftueshme për ushtrimin e funksioneve vendore.

Në fushën e financave qëllimi është rritja e autonomisë financiare të njësive të qeverisjes vendore dhe ulja e varësisë së tyre nga transfertat qeveritare. Synohet vendosja e një sistemi financimi të bazuar në funksione dhe përgjegjësitë e tyre, duke garantuar një lidhje më të drejtë ndërmjet kompetencave dhe burimeve financiare.

Gjithashtu u parashikua hartimi i një formule të re të barazimit financiar për të siguruar një shpërndarje më të ekuilibruar të fondeve dhe për të reduktuar pabarazitë ndërmjet njësive vendore. Dhe katër, sistemi zgjedhor dhe i përfaqësimit.

Forcimi i demokracisë vendore. Synon forcimin e demokracisë vendore ky sistem, rritjen e përfaqësimit të komuniteteve dhe afërsinë e vendimmarrjes me qytetarët. Në të njëjtën kohë u shqyrtua alternativa për përmirësimin e sistemit zgjedhor vendor, me synimin për të forcuar përfaqësimin demokratik dhe lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve vendore.

Diskutimet dhe përfundimet u përqendruan në modele që do rrisnin llogaridhënien dhe të zgjedhurve vendorë që do garantonin përfaqësimin më të mirë të komuniteteve dhe do të mundësonin pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve në proceset vendimmarrëse lokale. Katër këto sisteme janë të ndërvarura, ndryshimi vetëm i njërës prej tyre sjell zhbalancim edhe të tjetrës. Prandaj dhe ruajtja e ekuilibrit ka qenë një nga qëllimet dhe synimet e punës së ekspertëve tanë.

Gjithashtu u përcaktua dhe u dakordësua që propozimet konkrete për organizimin territorial të paraqiten vetëm pas miratimit të kritereve dhe metodologjisë përkatëse. Për çdo bashki të re të propozuar, u parashikua hartimi i një karte arsyetimi, e mbështetur në analizat e territorit, popullsisë, identitetit, potencialit ekonomik, kapaciteteve financiare, ofrimit të shërbimeve, aksesit të qytetarëve, përfaqësimit demokratik dhe të një raporti kosto-përfitim.

Kjo qasje synonte të, dhe synon të garantojë një që asnjë propozim territorial të mos paraqitet pa një vlerësim të plotë të fizibilitetit dhe qëndrueshmërisë së tij. Për ne, harta e re territoriale do të prezantohesh në përfundim të procesit. Sigurisht ka një parakalim, sepse ky parakalim erdhi për shkak të mënyrës së sjelljes së Partisë Socialiste. Por në të gjithë punën e tij komisioni ka konsideruar gjithë këtë metodologji, kritere, parime, dhe sisteme, të cilat më pas kanë produktuar dhe modelin që ne paraqisim sot.

Ka pasur disa debate mbi disa modele. Modeli aktual që ka triumfuar mbështetet në një numër të caktuar bashkish, por qëllimi kryesor i reformës sonë nuk ka qenë numri i bashkive. Qëllimi kryesor, siç dhe unë e parashtrova, ka qenë ulja e largësisë së qytetarit nga pushteti vendor, rritja e përfaqësimit të tij, rivendosja e llogaridhënies dhe garantimi i zhvillimit të njëtrajtshëm ekonomik për të gjitha bashkitë. Ndryshe nga mënyra si e solli projektin Partia Socialiste, ne nisemi nga qytetari, nisemi nga decentralizimi i kompetencave dhe ai financiar, për të arritur më pas tek harta që është produkti ynë i fundit.

Partia Socialiste u nis nga harta për ta mbushur pastaj me të njëjtin fjalor, me të njëjtat parashtrime të cilat i ka përdorur dhe në 2014-ën, dhe që dhanë këtë rezultat katastrofik që ne e prekim sot. Nuk jemi mjaftuar vetëm me këtë. Edhe në nivelet dhe financiare dhe ligjore, kemi përcaktuar ndërhyrje të domosdoshme të cilat e bëjnë të zbatueshme dhe rezultative projektin që ne propozojmë.

Në projektin tonë ne synojmë rikthimin e kompetencave, të funksioneve, të përgjegjësive të vetëqeverisjes vendore, me theks prioritar tek decentralizimi që është kryesori. Projekti i ri i Partisë Demokratike, veç hartës së re, synon një reformë të thellë institucionale, ku decentralizimi real realizohet përmes rikthimit të kompetencave, funksioneve, përgjegjësive dhe burimeve financiare tek njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në këtë mënyrë kërkohet ndërtimi i një sistemi të qeverisjes vendore që respekton kushtetutën, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore dhe parimin e subsidiaritetit, duke garantuar shërbime publike më pranë qytetarëve, demokraci lokale më të fortë dhe zhvillim të qëndrueshëm të territorit.

Fushat ku do rikthehen kompetencat janë përcaktuar, planifikim, zhvillim i territorit, furnizim me ujë, kanalizime, menaxhim i mbetjeve, rajonalizim, i cili është i domosdoshëm, se ndoshta këtu është ajo kërkesa e BE-së, rajonet do të marrin kompetenca të reja, në rast se vendoset një gjë e tillë në përfundim të projektit, pas dëgjesave me qytetarët, dhe do merren me zhvillim rajonal, fondet e BE-së, arsimin, shëndetësinë, menaxhimin rajonal të mbetjeve dhe koordinimin ndërbashkiak.

Financat e vetëqeverisjes vendore janë shumë të rëndësishme. Është folur shpesh për autonominë financiare, dhe PS-ja në fakt e ka përdorur këtë si kalë beteje për të argumentuar projektin e saj. Ndërkohë që përgjatë këtyre 13 viteve ka qenë detyra e qeverisë që të garantonte garantonte këtë autonomi financiare nëpërmjet rrugëve që ajo i përcakton dhe i ka në dorë. Dhe konkretisht ne kemi propozuar për rritjen e kësaj autonomie dyfishimin e transfertës së pakushtëzuar, të pakushtëzuar sepse kjo i jep autoritet financiar pushtetit vendor, nga 1% në 2% të produktit bruto. Dhe sigurisht do shihet mundësia e kalimit të një profili të caktuar taksash në favor të pushtetit vendor, dhe është kërkuar dhe është parashikuar ngritja e fondit të solidaritetit, ku bashkitë që nuk kanë mundësi të mbledhin të ardhurat e tyre vendore, të mund të suportohen dhe të mbështeten nga ky fond, rolin e të cilit mund ta luajë rajoni ose qarku.

Dhe synojmë heqjen e kontrollit të bashkive prej kryeministrisë, mbi aktivitetin dhe transfertat e fondeve. Dhe ky kontroll i aktivitetit të bashkive do të kryhet sipas kushtetutës vetëm prej kontrollit të lartë të shtetit dhe këshillave bashkiakë, duke amenduar pikën tre të nenit 13 të ligjit për vetëqeverisjen vendore.

Kemi propozuar për këtë gjë ndryshime konkrete ligjore, dhe këto ndryshime prekin ligjin 139/2015 për vetëqeverisjen vendore, ku rishikohen dispozitat që kufizojnë autonominë vendore dhe rikthim të kompetencave ekskluzive të bashkive, sikurse garantim ligjor i financimit të çdo funksioni të transferuar tek bashkitë, dhe forcimi i rolit të këshillave bashkiakë dhe pjesëmarrjes qytetare. Më pas është me radhë ligji 115/2014 për ndarjen administrativo-territoriale, ligji 107/2014, ligji për financat e vetëqeverisjes vendore, dhe sigurisht duke konsideruar dhe legjislacionin sektorial, i cili ka ndërhyrë shpesh në ligjin organik të vetëqeverisjes vendore, me iniciativa që shpesh i ka marrë këshilli i ministrave apo ministritë të caktuara dhe kanë dëmtuar pjesën e autonomisë dhe i kanë rrëmbyer funksione dhe kompetenca pikërisht bashkive.

Dhe në konkludim, unë patjetër që dua të paraqes hartën që ne propozojmë. Para se të kaloj tek harta, në monitor, ma kalo tek sllajderi që ishte. Është shfaqur një ndër pasojat më negative të ndarjes që propozon PS-ja. Në grafik, shihet që ka një fluks ngjyrash nga e jeshilja tek e kuqja. Ngjyra jeshile tregon pikat më të afërta me qendrën, ndërsa ngjyra e kuqe, vijat e kuqe tregojnë largësinë më të madhe nga qendra. Ndarja e re territoriale që ofron Partia Socialiste, shumëfishon largësitë që qytetarët kanë nga qendra.

Ndërkohë që ka një standard të vendosur nga BE-ja që përcakton dhe thekson që largësia e një qytetari nga qendra duhet të jetë jo më shumë se 30 minuta në aksesimin e qendrës së bashkisë së tij. Me ndarjen e re, sidomos banorët e Fushë-Arrëzit largohen nga Puka, banorët e Prrenjasit largohen nga qendra e tyre në Prrenjas, në Librazhd, banorët e Cërrikut, banorët e Libohovës, banorët e Këlcyrës, banorët e Memaliajt, dhe kjo distancë pastaj sjell ato pasoja të cilat këtu u transmetuan, që kanë si konkludim dhe ikjen dhe shpopullimin e Shqipërisë.

E solla këtë si pikë ballafaquese për ta ballafaquar pikërisht me projektin tonë, i cili, besoj nga dje që është shfaqur mediatikisht, ka tërhequr vëmendje. Më lejoni që t’i lexoj bashkitë e propozuara sipas rajoneve dhe qarqeve, për të argumentuar më pas edhe rolin e rajoneve dhe të qarqeve brenda propozimit tonë. Qarku Shkodër, nga pesë bashki propozohet që të shkojnë në tetë bashki.

Me këto bashki, materiali do shpërndahet, nuk po përqendrohem tek njësitë administrative.

Bashkitë janë Shkodër, Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Pukë, Fushë-Arrëz, Velipojë, Drivast, Koplik. Qarku Lezhë, nga tre bashki kalon në tetë bashki. Lezhë, Bregu i Matës, Zadrima, Mirditë, Orosh, Rubik, Kurbin, Mamurras. Qarku Kukës, nga tre kalon në pesë bashki. Kukës, Tropojë, Has, Shishtavec, Bicaj. Qarku Dibër, nga katër kalon në tetë bashki.

Dibër, Mat, Bulqizë, Klos, Maqellarë, Shupenzë, Kastriot dhe Lurë. Qarku Durrës, në pesë bashki. Durrës, Sukth, Shijak, Krujë, Fushë-Krujë. Qarku Tiranë, nga pesë bashki, në dhjetë bashki. Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, Petrelë, Kashar, Dajt, Arban dhe Ndroq. Qarku Elbasan, nga shtatë kalon në nëntë bashki. Elbasan, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Librazhd, Prrenjas, Bradashesh, Shpat. Qarku Korçë kalon në, nga gjashtë në 10 bashki. Korçë, Maliq, Pogradec, Devoll, Pustec, Ersek, Voskopojë, Pojan, Leskovik, Mokër. Qarku Fier nga gjashtë në 12 bashki. Fier, Patos, Roskovec, Lushnje, Divjakë, Ardenic, Krutje, Dushk, Mallakastër, Fratar, Levan dhe Cakran. Qarku Berat nga pesë bashki në shtatë.

Dimal, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Othlak, Shpirag. Qarku Vlorë nga shtatë në 11. Vlorë, Selenicë, Himarë, Orikum, Amantia, Saran, Delvin, Finiq, Konispol, Ksamil, Novosel. Qarku Gjirokastër mbetet me shtatë, nga shtatë që është aktualisht. Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Memaliaj, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet.

Këto janë bashkitë të listuara sipas tabelës dhe të paraqitura dhe në hartën që ne kemi përgatitur dhe është realizuar nga ekspertët tanë. Dhe për ta përmbyllur, unë dua t’i referohem procedurës, sepse mund të lindë një pyetje. Po, ju keni një projekt, ndërkohë PS-ja ka një projekt. Nuk janë produktet e komisionit, asnjëra dhe as tjetra. Pavarësisht se PD-ja është munduar të respektojë siç unë e përcaktova të gjithë rrjedhën e etapave të përcaktuara në projekt-kalendar.

Sepse duhet të ishte ky raport vlerësimi që të prodhonte raportin përfundimtar. PS-ja nuk e ka bërë një gjë të tillë, ne e kemi bërë, por gjithsesi përderisa jemi në këtë pikë të punës së komisionit të dështuar me qëllim nga PS-ja, ne e konsiderojmë që dhe propozimi ynë nuk është produkt i plotë i komisionit. Por ka vlerën e produktit të këtij komisioni për shkak të hapave të ndjekura, të sondazhimit të publikut dhe të atyre që unë i parashtrova, parashtrova më përpara ku theksova kontaktet që deputetët, drejtuesit politikë, kanë pasur me zonat dhe me banorët për t’i marrë atyre mendimet. Duke qenë se kjo është një reformë shumë e rëndësishme.

Kjo reformë nuk mund të kalojë me vota në parlament, sepse do ishte një reformë tërësisht, siç ata e kanë bërë në fakt, siç e kanë parapërgatitur, politike dhe nuk do t’i shërbente vendit. Parlamenti nuk ka autoritet, pas përfundimit të punës së komisionit, të shqyrtojë një produkt që i vjen nga një grup deputetësh.

Sepse nuk është çështje procedure, është çështje demokracie kjo. Nuk është thjesht se duam një procedurë. Produkti nuk ka autoritet moral, politik, parlamentar, kushtetues, dhe nuk mund të kalojë nëpërmjet parlamentit. Çfarë ndodh? Kushtetuta jonë parashikon referendumin. Karta Europiane e Autonomisë Vendore parashikon referendum. Neni 108, pika dy e Kushtetutës është kategorik. Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Pra, dhe në rast bashkimi, dhe në rast ndarje, duhet marrë mendimi. Në Kuvendin e Shqipërisë merret nëpërmjet përfaqësuesve dhe komisioneve. Komisioni ka përfunduar dhe ngelet referendumi.

Ndërkohë, neni 5 i Kartës Europiane përcakton më qartë: ndryshimet në kufijtë e autoriteteve vendore nuk bëhen pa konsultim paraprak të komuniteteve vendore të prekura, mundësisht nëpërmjet referendumit, kur kjo lejohet nga ligji. Dhe ligji jonë e lejon një gjë të tillë. Pra, sfida jonë është shumë e thjeshtë. Ky është projekti ynë. Ne vazhdojmë me dëgjesat.

Çdo komunitet që ka vërejtje, që kërkon të arrijë të përfaqësohet në bazë të identitetit, parametrave kryesorë të zhvillimit ekonomik, të shërbimit, të largësisë apo afërsisë, mund të sjellë kërkesë pranë komisionit tonë, në Partinë Demokratike, sikurse dhe komunitete që nuk duan të ndahen.

Domethënë jemi të hapur në këtë pikë. Por, sfida më kryesore është: ftojmë politikën, mazhorancën, ftojmë dhe qytetarët të realizojmë referendumin. Dy projekte të hidhen në referendum, dhe të jetë qytetari ai që vendos dhe që përcakton se cili është modeli që i shkon më afër interesit të tij, që i ofron shërbime, që ofron përfaqësim, që ofron llogaridhënie, që ofron zhvillim ekonomik, që ofron shërbim arsimor, shërbim shëndetësor, shërbim social, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit