

Një 43-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka vjedhur një automjet.
Pas kallëzimit të një qytetari se i ishte vjedhur automjeti i parkuar në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Itinerari”, të zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, u arrestua shtetasi Olsi Bakiaj, 43 vjeç, banues në Fier.
Ai dyshohet se më 27 korrik 2026 ka vjedhur automjetin e shtetasit A. Xh., 25 vjeç. Nga hetimet rezultoi se Bakiaj e ka kryer këtë vepër pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Fierit për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjatë veprimeve hetimore, automjeti i vjedhur u gjet i fshehur në banesën e shtetasit Ibrahim Duda, 46 vjeç, në Sarandë, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin duke e mbajtur në banesën e tij së bashku me automjetin.
Ibrahim Duda është shpallur në kërkim nga policia, pasi edhe ai rezulton me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhje”. Policia vijon punën për kapjen e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






