

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke e cilësuar lirimin e tij si një dëshmi të ndikimit të qeverisë mbi sistemin e drejtësisë.
Berisha deklaroi se masa e mëparshme ndaj Beqajt ishte e pamjaftueshme në raport me ato që ai i cilësoi si abuzime të mëdha financiare, duke akuzuar ish-ministrin dhe kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi politike.
Sipas tij, çështja e sterilizimit në shëndetësi ishte një nga rastet më të rënda, duke pretenduar se ajo ka shkaktuar kosto të larta për buxhetin e shtetit.
Berisha kritikoi gjithashtu menaxhimin e pandemisë së COVID-19 nga qeveria shqiptare, duke ngritur akuza ndaj ish-zyrtarëve të shëndetësisë për mënyrën e trajtimit të krizës.
“Lirimi i Ilir Beqajt është dëshmi e fundit flagrante e kontrollit të plotë dhe total të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Deklaratat e kreut të PD-së vijnë pas vendimit të GJKKO-së që ndryshoi masën e sigurisë për Beqajn nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, ndërsa hetimet për dosjen SASPAC vijojnë.
"Komentet e mia janë këto, lirimi i Ilir Beqës është dëshmi e fundit flagrante e kontrollit të plotë dhe total të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. Totalisht! Vetë akuza kundër tij ishte qesharake në raport me plaçkitjen e qindra milionë eurove. Mos harro se sterilizimi, dhe iniciator është Edi Rama, të jemi të sinqertë, se dilte ekran më ekran me një gërshërë të thyer dhe me një pincë të ndryshkur se ja me çfarë operoheshin, rriti me 84 përqind çmimin e sterilizimit në Shqipëri. Natyrisht Ilir Beqja do dilte se Ilir Beqja vjedhjet e mëdha i bëri me Edi Ramën. Ilir Beqja do dilte se jo më pak përgjegjëse ishte Korba e Covid-it. Ajo është një nga figurat më të urryera në historinë e këtij vendi, përgjegjëse me qëndrimwt e saj kriminale dhe të Edi Ramës për 20 mijë vdekje shtesë nga Covid-i. Ajo ato të Covid-it, por mbi Covid-in. Domethënë që Covid-i në Shqipëri u zhvillua më rëndë se në çdo vend tjetër sepse Shqipëria edhe në kulmin e Covid-it pati në dispozicion të qytetarëve të saj as gjysmën e shtretërve që kishte Kosova. Kosova kishte 1200 shtretër, Shqipëria kishte 500 shtretër. Bile t’i kërkojnë të falur Beqës që e mbajtën shumë. Na fal o Beqje se të mbajtëm si shumë," tha Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






