Transmetuar më 31-07-2026, 11:59

TIRANË – Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është liruar nga paraburgimi, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Vendimi është marrë gjatë seancës së sotme gjyqësore, ku trupa gjykuese ka vendosur që Beqaj të vijojë masën e sigurisë në kushtet e arrestit në banesë.

Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024, në kuadër të hetimeve për abuzimin e dyshuar me fondet e SASPAC, gjatë periudhës kur ai drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Ish-ministri akuzohet për shpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash, përfshirë dyshimet për fshehje të pronësisë së një restoranti pranë Kalasë së Tiranës dhe një automjeti.

Në të njëjtën dosje janë hetuar edhe bashkëpunëtorët e tij Ermal Kurtulaj, ish-koordinator i projektit EUSAIR, si dhe Alfred Nikolla, ish-drejtor administrativ i kompanisë “Landways International”, e cila dyshohet se është përdorur në skemën e përfitimit të fondeve.

Hetimi i çështjes është zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ndërsa masat e sigurisë fillestare janë kërkuar nga prokurorja Elida Kaçkini dhe janë vendosur nga gjyqtarja Rudina Palloi.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit