Transmetuar më 31-07-2026, 11:55

SHBA – Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë procedurale që hap rrugën për shqyrtimin dhe votimin në bllok të 74 emërimeve të administratës amerikane, përfshirë kandidaturën e Eric Wendt për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri.

Rezoluta u miratua të enjten, më 30 korrik, me 50 vota pro dhe 47 kundër, sipas linjave partiake. Tre senatorë, Marsha Blackburn, Mitch McConnell dhe Thom Tillis, abstenuan nga votimi.

Përfshirja e emrit të Eric Wendt në listën e emërimeve nuk nënkupton ende konfirmimin e tij si ambasador, por i hap rrugën procesit të votimit në Senat. Rezoluta ka karakter procedural dhe synon që emërimet të shqyrtohen së bashku, në vend që secila kandidaturë të trajtohet veçmas.

Nëse miratohet, Wendt do të jetë ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor të vitit 2023. Prej atëherë, ambasada amerikane në Shqipëri është drejtuar nga të ngarkuar me punë.

Kandidatura e Wendt u dorëzua në Senat më 13 prill 2026 nga presidenti Donald Trump. Më 20 maj, ai u paraqit përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, ku prezantoi prioritetet e tij për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, duke u fokusuar te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, siguria kibernetike dhe rritja e investimeve amerikane.

Më 4 qershor, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi kandidaturën e tij me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke e dërguar për shqyrtim në Senat.

Eric Wendt është një figurë me përvojë të gjatë në fushën ushtarake dhe në strukturat e NATO-s, ndërsa emërimi i tij shihet si një sinjal për forcimin e angazhimit amerikan në Shqipëri, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit