Transmetuar më 31-07-2026, 11:12

Thyen “arrestin në shtëpi” dhe udhëtuan nga Tirana në Vlorë për të vjedhur, kapen në flagrancë dy persona

Dy persona me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje janë arrestuar në Vlorë, pasi dyshohet se kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kishin udhëtuar nga Tirana për të kryer vjedhje në banesa.

Operacioni policor i koduar “Again” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për lëvizjet e dy të dyshuarve.

Në pranga përfunduan shtetasit A. G., 48 vjeç, dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Sipas Policisë, ata u kapën në flagrancë në lagjen “Bashkimi”, në momentin kur po tentonin të hapnin derën e një banese me pajisje të posaçme, me qëllim vjedhjen.

Nga verifikimet rezultoi se të dy personat ishin nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur për të njëjtën vepër penale, por dyshohet se ishin larguar nga banesat e tyre dhe kishin mbërritur në Vlorë për të vijuar aktivitetin kriminal.

Gjatë operacionit, Policia sekuestroi pajisje për hapjen e bravave dhe kasafortave, një automjet tip “Mercedes-Benz”, si dhe dy telefona celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit