

SPAK zgjeron akuzat ndaj Belinda Ballukut, nën hetim edhe për gjashtë lote të Unazës së Madhe
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku pritet të merret zyrtarisht e pandehur edhe për procedurat e tenderimit të gjashtë loteve të tjera të Unazës së Madhe të Tiranës.
Prokuroria e Posaçme e ka thirrur Ballukun këtë të premte, në orën 10:00, së bashku me avokatin e saj mbrojtës, për t’i komunikuar zgjerimin e akuzës për shkelje të barazisë në tendera.
Më herët, ajo ishte marrë e pandehur lidhur me procedurat për lotin 4 të Unazës së Madhe dhe tenderin e Tunelit të Llogarasë.
Gjatë paraqitjes në SPAK, Ballukut pritet t’i komunikohet edhe zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve. I njëjti vendim u është bërë i ditur më parë edhe dy ish-vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Paralelisht, Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Kjo pjesë e hetimit lidhet me dy tendera me vlerë mbi një milion euro, të zhvilluar gjatë periudhës kur Balluku mbante detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të “Albcontrol”.
Sipas pretendimeve të organit të akuzës, tenderat dyshohet se iu dhanë në kundërshtim me ligjin një kompanie ndërtimi, ndërsa Balluku dyshohet se ka përfituar si ryshfet një vilë në Dhërmi, me vlerë fillestare rreth 145 mijë euro.
Vila është vendosur nën sekuestro me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






