Transmetuar më 31-07-2026, 08:58

ITALI – Bota e futbollit është në zi pas ndarjes nga jeta të legjendës së AC Milan dhe kombëtares italiane, Franco Baresi, në moshën 66-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar nga AC Milan me një mesazh prekës, ku klubi i ka dhënë lamtumirën një prej ikonave më të mëdha të historisë së tij.

“Historia e AC Milan është në lot pas ndarjes nga jeta të Franco Baresi. Shembulli dhe ndikimi i tij i thellë, ashtu si fanella e tij me numrin 6, do të jenë përgjithmonë pjesë integrale e ADN-së dhe historisë së klubit. Ngushëllimet tona shkojnë për familjen e Franco Baresi dhe për të gjithë tifozët kuqezi në këtë moment të dhimbshëm”, thuhet në reagimin zyrtar të klubit.

Baresi kishte kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore, pasi në vitin 2025 iu nënshtrua një operacioni për një nyje në mushkëri. Së fundmi ai ishte rikthyer në stadiumin “San Siro” dhe kishte qenë ndër mbajtësit e fundit të pishtarit olimpik në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

I konsideruar si një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit, Franco Baresi e kaloi të gjithë karrierën e tij me fanellën e Milanit, ku zhvilloi 719 ndeshje zyrtare. Me klubin kuqezi fitoi gjashtë tituj të Serie A dhe tre trofe të Kupës së Kampionëve Evropianë/Ligës së Kampionëve, duke u shndërruar në një simbol të përjetshëm të skuadrës.

Me kombëtaren e Italisë ai regjistroi 81 paraqitje dhe ishte pjesë e ekipit që fitoi Kupën e Botës në vitin 1982, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në futbollin italian dhe atë botëror. Ndarja e tij nga jeta shënon fundin e një epoke për Milanin dhe futbollin ndërkombëtar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit