Transmetuar më 31-07-2026, 08:55

ITALI – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të disa dispozitave të Marrëveshjes së Shengenit në raport me Spanjën, pas valës së emigrantëve të parregullt që kanë mbërritur në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku.

Në një reagim në platformën “X”, Meloni i cilësoi pamjet nga Ceuta si tronditëse, duke theksuar se emigracioni i paligjshëm dhe i pakontrolluar përbën një kërcënim për sigurinë e kufijve evropianë. Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi dhe paralajmëroi masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e kufijve, përfshirë edhe pezullimin e Shengenit me Spanjën.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili mbështeti kërkesën për masa më të ashpra ndaj flukseve migratore. Sipas tij, vendimi i autoriteteve spanjolle për t’u dhënë shtetësinë mbi 500 mijë emigrantëve të parregullt ka qenë i gabuar dhe ka nxitur aktivitetin e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

Deklaratat e drejtuesve italianë vijnë në një kohë kur Spanja po përballet me një valë të re emigrantësh në Ceuta. Autoritetet spanjolle kanë angazhuar ushtrinë dhe kanë shtuar praninë e forcave të sigurisë për menaxhimin e situatës, ndërsa Ministria e Brendshme ka njoftuar dislokimin e 60 efektivëve të forcave të armatosura në mbështetje të policisë.

Sipas autoriteteve, të paktën 10 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin, ndërsa qindra të tjerë kanë hyrë në territorin spanjoll duke notuar nga brigjet e Marokut. Presidenti i qytetit autonom të Ceutës, Juan Vivas, deklaroi se më shumë se 1.500 emigrantë kanë mbërritur në enklavë gjatë ditëve të fundit, duke paralajmëruar se qendrat e pritjes janë mbipopulluar dhe situata ka marrë përmasa emergjente.

Nga ana tjetër, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez bëri të ditur se qeveria ka mobilizuar të gjitha burimet e nevojshme për menaxhimin e krizës, ndërsa Madridi dhe Rabati kanë rënë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin për kthimin sa më të shpejtë në Marok të personave që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin spanjoll.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit