Transmetuar më 31-07-2026, 08:09

GREQI – Janë identifikuar dy shtetasit shqiptarë që humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor të ndodhur në ishullin e Kretës.

Viktimat janë Edison Xhaka, 28 vjeç, nga Elbasani, dhe Aleksandër Toçila, 34 vjeç, nga Gramshi. Sipas informacioneve, të dy jetonin dhe punonin prej vitesh në zonën e Kissamosit.

Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Kissamos–Hania, pranë Kolimbarit. Sipas autoriteteve greke, dy të rinjtë po udhëtonin me një motoçikletë kur, për shkaqe që ende mbeten nën hetim, drejtuesi humbi kontrollin e mjetit, i cili doli nga rruga dhe u përplas me barrierat metalike anësore.

Përplasja rezultoi fatale për të dy shqiptarët, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve të marra.

Lajmi ka shkaktuar dhimbje të thellë te familjarët, miqtë dhe komuniteti shqiptar në zonë. Të afërmit dhe bashkëqytetarët i kanë përshkruar Edison Xhakën dhe Aleksandër Toçilën si të rinj punëtorë dhe të respektuar, të cilëve aksidenti u ndërpreu tragjikisht planet dhe ëndrrat për të ardhmen.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.

Aksidenti tragjik në Kretë, humbën jetën dy shqiptarë. Flet shoqata

Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor, të ndodhur në orët e para të mëngjesit në aksin Kissamos–Hania, pranë Kolimbarit, në Kretë.

Shoqata Shqiptare Kisamo – Kasteli, tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 të së enjtes 31 korrik. Dy të rinjtë po udhëtonin me motor dhe, në rrethana që mbeten ende të paqarta, janë përplasur me barrierat anësore të rrugës, duke humbur jetën në vend.

Viktimat janë Edison Xhaka, 28 vjeç, nga Elbasani, i cili jetonte dhe punonte prej vitesh në Kissamo, dhe Aleksandër Toçila, 34 vjeç, nga Gramshi, i cili gjithashtu punonte në këtë zonë.

Shoqata Shqiptare e ka cilësuar ngjarjen si një humbje të rëndë për familjet, miqtë dhe komunitetin shqiptar në Kretë, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta të afërmve të dy viktimave.

Në deklaratë, bashkatdhetarëve u bëhet thirrje që t’u qëndrojnë pranë familjeve Xhaka dhe Toçila në këto momente të vështira.

Familja Xhaka do të presë ngushëllime në banesën e vëllait të madh, Festimit, ndërsa për familjen Toçila ngushëllimet do të zhvillohen në zyrën e Shoqatës Shqiptare, e cila do të hapet rreth orës 19:00.

“U prehshin në paqe Edison dhe Aleksandër. Ju qoftë dheu i lehtë”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit