

TIRANË – Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi financiare të përballojnë një javë pushime larg banesës së tyre, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të privimit material në Europë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, të cilat për vendet e Bashkimit Europian i referohen vitit 2025, ndërsa për Shqipërinë vitit 2023, rreth 53% e familjeve shqiptare deklarojnë se nuk mund të përballojnë financiarisht një javë pushime në vit. Shqipëria renditet e dyta në Europë, pas Rumanisë, ku kjo përqindje tejkalon 60%.
Pas Shqipërisë renditen Turqia me rreth 51%, Maqedonia e Veriut me afro 48% dhe Greqia me rreth 47%, çka tregon se ky fenomen është më i përhapur në vendet e Europës Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura më të ulëta.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet me një situatë më të pafavorshme. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk mund të përballojnë një javë pushime, ndërsa në Bullgari dhe Hungari kjo përqindje është rreth 39%. Italia regjistron një nivel prej afërsisht 36%, ndërsa Portugalia, Kroacia dhe Spanja luhaten mes 32% dhe 33%.
Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 27%, pothuajse gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri, duke treguar se familjet shqiptare përballen me vështirësi dukshëm më të mëdha për të financuar pushimet.
Në vendet me të ardhura më të larta, ky tregues është ndjeshëm më i ulët. Në Gjermani dhe Irlandë, rreth një në pesë familje nuk mund të përballojë një javë pushime, ndërsa në Holandë dhe Suedi përqindja zbret në 12–13%. Nivelet më të ulëta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve ndodhen në këtë situatë, si dhe në Luksemburg me rreth 11%.
Sipas Eurostat, ky tregues pasqyron aftësinë financiare të familjeve për të përballuar një javë pushime larg vendbanimit dhe konsiderohet një nga indikatorët kryesorë të standardit të jetesës dhe privimit material. Ai nuk mat nëse familjet kanë zgjedhur të udhëtojnë, por nëse kanë mundësi ekonomike për ta bërë këtë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






