

TIRANË – Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të nxehta dhe të qëndrueshme edhe gjatë kësaj të premteje, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët në të gjithë territorin.
Sipas parashikimit meteorologjik, vranësirat do të jenë të pakta dhe kalimtare, pa sjellë ndryshime të ndjeshme në kushtet atmosferike.
Temperaturat do të mbeten në nivele shumë të larta, me vlerat maksimale që pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius në qarqet e Elbasanit dhe Beratit. Në Gjirokastër termometri parashikohet të shënojë deri në 40°C, ndërsa në Fier deri në 38°C.
Në zonat bregdetare, temperaturat maksimale do të luhaten nga 36°C në Sarandë deri në 37°C në Vlorë, ndërsa në Korçë pritet një temperaturë maksimale prej 34°C.
Era do të fryjë nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare rreth 5 metra në sekondë, ndërsa në intervale të shkurtra në zonat bregdetare dhe në lugina mund të forcohet deri në 10 metra në sekondë.
Ndërkohë, deti parashikohet të jetë i qetë, me valëzim të ulët, nga 1 deri në 2 ballë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






