Transmetuar më 31-07-2026, 07:28

PRISHTINË – Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë ka shënuar rënie edhe gjatë muajit qershor 2026, duke reflektuar një ngadalësim të ritmit të krijimit të bizneseve në vend. Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se regjistrimet kanë rënë si në baza mujore, ashtu edhe vjetore.

Sipas ASK-së, gjatë qershorit janë regjistruar 1.092 ndërmarrje të reja, 1,4 për qind më pak krahasuar me muajin maj. Në raport me qershorin e vitit 2025, numri i bizneseve të reja rezulton 5,1 për qind më i ulët.

Edhe pse numri i regjistrimeve ka rënë, sektori i tregtisë vijon të mbetet aktiviteti më i preferuar për sipërmarrësit. Në këtë fushë janë regjistruar 242 ndërmarrje, ose 22,2 për qind e totalit, të ndjekura nga sektori i akomodimit dhe shërbimeve të ushqimit me 124 biznese (11,4%), ndërtimtaria me 121 (11,1%) dhe aktivitetet profesionale, shkencore e teknike me 114 ndërmarrje (10,4%).

Statistikat tregojnë se bizneset e reja vazhdojnë të dominohen pothuajse tërësisht nga mikro-ndërmarrjet. Nga 1.092 bizneset e regjistruara, 1.088 kanë nga zero deri në nëntë të punësuar, ndërsa vetëm katër janë regjistruar si ndërmarrje të vogla me 10 deri në 49 punonjës. Gjatë muajit qershor nuk u regjistrua asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe.

Sa i përket formës ligjore, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (Sh.P.K.) përbëjnë 78,57 për qind të regjistrimeve të reja, ndërsa bizneset individuale 20,88 për qind. Format e tjera ligjore kanë një peshë minimale ose nuk kanë pasur regjistrime gjatë muajit.

Në aspektin rajonal, Prishtina vijon të kryesojë me 536 ndërmarrje të reja, ose 49,1 për qind të totalit. Pas saj renditen Ferizaj me 115 biznese (10,5%), Prizreni me 109 (10%), Gjilani me 97 (8,9%), Peja me 90 (8,2%), Mitrovica me 85 (7,8%) dhe Gjakova me 60 ndërmarrje (5,5%).

Megjithëse në nivel kombëtar u regjistruan 16 biznese më pak se një muaj më parë, disa rajone shënuan rritje. Prishtina u rrit nga 523 në 536 regjistrime, Peja nga 76 në 90, Gjilani nga 86 në 97 dhe Ferizaj nga 110 në 115. Në të kundërt, Gjakova regjistroi rënien më të madhe, nga 83 në 60 biznese, ndërsa ulje u shënuan edhe në Prizren, nga 130 në 109, dhe Mitrovicë, nga 100 në 85.

Të dhënat konfirmojnë se ekonomia kosovare vijon të mbështetet kryesisht në sipërmarrje të vogla, ndërsa investimet në ndërmarrje me kapacitete më të mëdha mbeten të kufizuara.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit