Transmetuar më 31-07-2026, 07:26

PRISHTINË – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është rikonfirmuar në krye të partisë pasi Kuvendi i Jashtëzakonshëm hodhi poshtë nismën për shkarkimin e tij.

Në votimin e zhvilluar këtë të enjte, 169 delegatë votuan kundër shkarkimit të Abdixhikut, ndërsa 152 votuan pro. Në Kuvend morën pjesë 328 nga 355 delegatë me të drejtë vote.

Nisma për shkarkimin e kryetarit u paraqit nga një grup delegatësh që kërkuan rishikimin e drejtimit të partisë. Pas përfundimit të procesit të votimit, Abdixhiku siguroi mbështetjen e shumicës së delegatëve dhe vijon të mbetet në krye të LDK-së.

Në fjalën e tij para votimit, Abdixhiku e cilësoi nismën si të gabuar dhe të panevojshme, duke argumentuar se partia ishte në prag të procesit të rregullt zgjedhor, ku udhëheqja mund të vlerësohej përmes votës së delegatëve.

Ai u shpreh se një proces i tillë nuk e forcon dhe as nuk e bashkon LDK-në, ndërsa pretendoi se disa delegatë janë përballur me presione dhe kërcënime për të mbështetur nismën kundër tij. Sipas Abdixhikut, praktika të tilla nuk përputhen me vlerat mbi të cilat është ndërtuar partia.

Pas përfundimit të votimit, reagoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi rezultatin si një fitore me domethënie.

"Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre!", shkroi Osmani në Facebook.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit