

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka vlerësuar investimin e ri në godinën e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, duke theksuar se ambientet moderne do të përmirësojnë kushtet e punës së efektivëve dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Në prononcimin e dhënë për gazetarët pas inaugurimit të godinës, Hita deklaroi se investimi do t’u shërbejë drejtpërdrejt banorëve të Beratit dhe të gjithë qarkut.
Sipas tij, ndërthurja e kushteve bashkëkohore me profesionalizmin, etikën dhe sjelljen korrekte të punonjësve të Policisë do të ndikojë në forcimin e sigurisë dhe në ofrimin e një shërbimi më cilësor.
Drejtori i Përgjithshëm tha se kjo është veçanërisht e rëndësishme jo vetëm për banorët, por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë qytetin e Beratit.
I pyetur për renditjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat ndër strukturat më të vlerësuara për garantimin e rendit dhe qetësisë, Hita tha se kjo drejtori ka një numër shumë të ulët të krimeve të rënda dhe renditet ndër qarqet me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend.
Megjithatë, ai paralajmëroi se treguesit pozitivë nuk do të sjellin ulje të vëmendjes ndaj fenomeneve kriminale.
“Fakti që niveli i kriminalitetit është i ulët nuk do të thotë se ne do të ulim vigjilencën dhe angazhimin”, u shpreh Hita.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit me strukturat vendore të Policisë janë diskutuar problematika që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, mes tyre shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kultivimi i bimëve narkotike.
Sipas tij, këto fenomene prekin të gjithë shoqërinë dhe do të mbeten në fokusin e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe të strukturave të tjera të Policisë së Shtetit.
Hita nënvizoi se synimi kryesor mbetet goditja e çdo veprimtarie kriminale dhe garantimi i një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






