Transmetuar më 30-07-2026, 22:33

Ish-ministri Edmond Panariti ka reaguar ndaj hapjes së mundshme të konsullatave shqiptare në Bujanoc dhe serbe në Shkodër, duke i cilësuar ato si “konsullatat e pabarazisë”.

Sipas Panaritit, hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc përbën një fitore të vonuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe një sinjal se Tirana zyrtare nuk i ka harruar ata.

Ai thekson se kjo përfaqësi do të krijonte një kanal institucional për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për përfaqësimin e tyre diplomatik në një realitet që mbetet i vështirë.

Ndryshe e vlerëson Panariti hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, të cilën e konsideron të panevojshme dhe të pakuptimtë, për shkak të numrit shumë të vogël të komunitetit serb dhe malazez në Shqipëri.

Sipas tij, prania e një konsullate të tillë do të ishte disproporcionale dhe mund të perceptohej si një lëshim i nxituar, duke i mundësuar Serbisë një hyrje simbolike në një zonë ku nuk ka ndikim real.

Panariti vlerëson se Beogradi do ta përdorte këtë zhvillim si një fitore diplomatike, duke krijuar narrativën e reciprocitetit, pavarësisht se realiteti demografik mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe komunitetit serb në Shqipëri është krejtësisht i pabarabartë.

“Hapja e konsullatës në Bujanoc është një fitore për shqiptarët e Luginës, por pranimi i konsullatës serbe në Shkodër është një goditje për Shqipërinë”, shprehet Panariti.

Ai nënvizon se kjo çështje duhet analizuar jo vetëm si një veprim diplomatik, por edhe në funksion të politikës së brendshme dhe asaj rajonale.

Sipas tij, Shqipëria duhet të dëshmojë se vendimi është pjesë e një strategjie të mirëmenduar. Në të kundërt, ai paralajmëron se hapja e konsullatës serbe në Shkodër rrezikon të shihet si një veprim i nxituar, i cili mund të cenojë më shumë interesa sesa të sjellë përfitime.

Deklarata e plotë

Konsullatat e pabarazisë!

Hapja e konsullatave në Bujanoc dhe Shkodër nuk është thjesht një akt diplomatik, por një lëvizje që godet fort në perceptimin e barazisë dhe sovranitetit.

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, konsullata në Bujanoc është një fitore e vonuar, një shenjë se Tirana nuk i ka harruar. Ajo krijon një kanal për mbrojtjen e të drejtave dhe përfaqësimin diplomatik, duke u dhënë shqiptarëve një zë institucional në një realitet të vështirë.

Por konsullata serbe në Shkodër nuk ka asnjë kuptim dhe ngre dyshime të forta.

Me një komunitet serb dhe malazez shumë të vogël në Shqipëri, prania e saj duket disproporcionale dhe e panevojshme.

Ky hap mund të perceptohet si një lëshim i nxituar, një hyrje simbolike e Serbisë në një zonë ku ajo nuk ka ndikim real.

Për Beogradin, kjo është një fitore diplomatike: krijon narrativën e reciprocitetit, edhe pse realiteti demografik është krejt i pabarabartë.

Në fund, hapja e konsullatës në Bujanoc është një fitore për shqiptarët e Luginës, por pranimi i konsullatës serbe në Shkodër është një goditje për Shqipërinë.

Ky është një akt që duhet lexuar jo vetëm si diplomaci, por si politikë e brendshme dhe rajonale, ku balanca mes nevojës reale dhe simbolikës së panevojshme është e brishtë. Shqipëria duhet të dëshmojë dhe provoje se ky hap është një strategji e menduar, përndryshe rrezikon të duket si një vendim i nxituar që cenon shumë me teper, se sa fiton.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit