

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm serb për një marrëveshje të mundshme me palën shqiptare për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër.
Bushati shprehet se shpreson që lajmi dhe marrëveshja e pretenduar të mos jenë të vërteta, pasi, sipas tij, një vendim i tillë do të ishte i gabuar si në planin strategjik, ashtu edhe në atë taktik.
Në aspektin strategjik, ai argumenton se hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk pasqyron realitetin historik dhe as peshën e pakicës serbe në këtë zonë. Sipas Bushatit, një vendim i tillë do të krijonte padrejtësisht një paralelizëm me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Ish-kryediplomati e konsideron po aq problematik edhe momentin politik në të cilin është bërë publik ky pretendim. Ai thekson se gjuha e zyrtarëve të lartë serbë ndaj Kosovës ndodhet në kulmin e ekstremizmit, veçanërisht sa i përket qëndrimeve mbi spastrimin etnik.
Bushati e sheh një konsullatë serbe në Shkodër edhe si një lëvizje provokuese ndaj Malit të Zi. Sipas tij, Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri.
Reagimi i Bushatit vjen pas deklaratave të palës serbe për hapjen e një përfaqësie konsullore në Shkodër, një çështje që ka nxitur debat mbi pasojat politike, historike dhe rajonale të një vendimi të tillë.
Deklarata e plotë
Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë.
Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






