

Pas gati dy vitesh kërkimesh, duket se i ka ardhur fundi misterit të zhdukjes së turistit belg Mark Joris, 72 vjeç, i cili humbi gjurmët në shtator të vitit 2024 gjatë një ekspedite malore në Shqipëri.
Mbetjet mortore dhe sendet personale të turistit janë gjetur gjatë fundjavës në një shpat mali në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Edhe pse analiza e ADN-së ende nuk ka përfunduar, autoritetet dhe familjarët dyshojnë se ato i përkasin 72-vjeçarit belg.
Mark Joris ishte nisur më 11 shtator 2024 nga Peshkopia për të përshkuar itinerarin malor High Scardus Trail, një rrugë e gjatë ecjeje që kalon në zonën kufitare mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Më 15 shtator, gjatë etapës së fundit të udhëtimit të tij, ai humbi kontaktet dhe nuk u gjet më.
Zbulimi u bë nga policia kufitare e Maqedonisë së Veriut, gjatë një operacioni kërkimi në një terren të thepisur malor, në zonën mes Black Stone (pika kufitare E33) dhe liqenit Podgoreçko.
Pranë mbetjeve mortore u gjetën edhe sendet personale të turistit, mes tyre çanta e shpinës, tenda, thesi i gjumit, një këpucë malore, kapele dhe dy telefona celularë. Një prej telefonave u lidh me Mark Joris përmes numrit IMEI, duke forcuar dyshimet për identitetin e tij.
“Hetimi me ADN është ende në vijim, por ka prova të forta që tregojnë se bëhet fjalë për personin e zhdukur”, deklaroi Lieselotte Claessens nga Prokuroria e Antverpit.
Pas zhdukjes së tij, në kërkimet për gjetjen e turistit belg u angazhuan strukturat shqiptare të emergjencave, ndërsa familjarë dhe miq të tij udhëtuan drejt Shqipërisë për të ndihmuar në operacionet e kërkimit.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë kërkimeve të mëparshme ekipet kishin kaluar pranë zonës ku më vonë u gjetën mbetjet e tij.
Mark Joris, banues në Mortsel të Belgjikës, ishte një pasionant i ecjeve malore. Para pensionimit, ai kishte qenë për shumë vite trombonist në orkestrën Brussels Philharmonic, si dhe kishte drejtuar Orkestrën Harmonike të Edegem dhe kishte qenë pjesë e bandës muzikore ‘t Akkoord në Borgerhout.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






