

POLIÇAN – Kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erion Zylyftari, ka dhënë dorëheqjen publike nga drejtimi i degës së PS-së, gjatë protestës së zhvilluar kundër planit për shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale 2.0.
Duke folur para qytetarëve të mbledhur në protestë, Zylyftari tha se nuk mund të përfaqësojë më votuesit socialistë përballë një vendimi që, sipas tij, bie ndesh me interesat e banorëve të Poliçanit.
Ai u shpreh se Partia Socialiste, të cilën qytetarët e kanë votuar ndër vite, ka propozuar shkrirjen e bashkisë, ndërsa kërkoi që Poliçani të vijojë të mbetet një bashki më vete.
“Me këtë që ne dëgjuam sot, unë nuk mund të dal dot përballë gjithë këtyre votuesve që kanë votuar Partinë Socialiste me vite me radhë. Por kjo parti që ne kemi votuar së bashku ka propozuar që ne si bashki të na shkrijë. Unë si kryetar i PS-së në Poliçan i bëj thirrje partisë sime që Bashkia Poliçan duhet të qëndrojë”, tha Zylyftari.
Në përfundim të fjalës së tij, ai njoftoi dorëheqjen nga posti drejtues në PS-në e Poliçanit, duke deklaruar: “Jam me popullin dhe jo me partinë.”
Dorëheqja e Zylyftarit erdhi në një kohë kur banorët e Poliçanit kanë nisur protesta kundër propozimit për bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë e Beratit, pjesë e Reformës Administrativo-Territoriale 2.0.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






