

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se është i gatshëm të votojë një ndryshim kushtetues që kufizon mandatin e kryeministrit në maksimum dy mandate.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Berisha tha se, megjithëse një klauzolë e tillë nuk është domosdoshmërisht standarde, ajo është e dobishme për realitetin shqiptar. Sipas tij, përvoja e qeverisjes së Edi Ramës tregon nevojën për një kufizim të tillë.
“Jam gati të votoj një klauzolë të tillë. Ta sjellin dhe unë e votoj me të dy duart. Jam njeri që respektoj Kushtetutën dhe jam gati ta votoj ndryshimin kushtetues që nesër”, u shpreh Berisha.
Ai argumentoi se kërkesa për kufizimin e mandateve bazohet në situatën aktuale politike, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se është shndërruar në një “diktator të urryer” dhe se mandati i katërt është, sipas tij, rezultat i zgjedhjeve të vjedhura.
Berisha shtoi se vendosja e një kufiri prej dy mandatesh për kryeministrin do të ishte një mekanizëm për të shmangur përqendrimin e pushtetit dhe për të mbrojtur funksionimin e demokracisë në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






