Transmetuar më 30-07-2026, 22:50

Koka prej mermeri e Aleksandrit të Madh, një skulpturë e shekullit I pas Krishtit, është rikthyer në Itali pas më shumë se një shekulli, duke i dhënë fund një odiseje që e çoi nga Forumi Romak në Shtetet e Bashkuara, Kajro, Katar, Londër dhe Maastricht.

Historia është rindërtuar nga hetimet e Karabinierëve italianë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Prokurorisë së Nju Jorkut. Skulptura ishte zhdukur nga Bazilika Emilia në Forumin Romak dhe u rikuperua në prill të këtij viti, së bashku me 336 objekte të tjera arkeologjike të trafikuara në SHBA. Ajo pritet të vendoset në Muzeun e Forumit Romak, ku autoritetet do të vendosin nëse do të ekspozohet për publikun apo do të përdoret për studime.

Skulptura u zbulua gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 1909–1910 dhe ishte pjesë e grupit të njohur si “Statujat e Orientalëve”. Nuk dihet saktësisht kur u vodh, por para vitit 1960 ajo ishte zhdukur. Në mungesë të provave për vjedhje, objekti u regjistrua si i humbur, gjë që vështirësoi gjurmimin e tij.

Pas largimit nga Italia, skulptura besohet se u kontrabandua jashtë vendit. Në vitin 1974 ajo u shfaq në një ankand të Sotheby’s në Nju Jork si pjesë e koleksionit të tregtarit armen të artit Hagop Kevorkian dhe u shit për 650 dollarë një kompanie që më vonë rezultoi fantazmë.

Pas dekadash pa gjurmë, vepra u rishfaq në vitin 2011 në një tjetër ankand të Sotheby’s. Shitësi deklaroi se e kishte trashëguar nga arkeologu grek Nikolas Oikonomides, i cili, sipas tij, e kishte blerë në Kajro gjatë viteve 1984–1986.

Në ankand, skulptura u ble për 92 mijë dollarë nga një sheik nga Katari. Më pas ajo u ekspozua në Londër nga fondacioni Ali Al Thani, ku tërhoqi vëmendjen e galeristit Alan Safani nga Manhattan. Pasi nuk gjeti asnjë sinjalizim për vjedhjen në bazat e të dhënave ndërkombëtare, ai e bleu për 152 mijë dollarë.

Në vitin 2018, gjatë përgatitjeve për ekspozimin në Panairin e Artit në Maastricht, drejtuesit e Forumit Romak e njohën skulpturën dhe njoftuan autoritetet italiane. Pas sekuestrimit nga Prokuroria e Nju Jorkut dhe një procesi të gjatë ligjor, Italia arriti të rikuperojë veprën, duke i dhënë fund udhëtimit të saj më shumë se 100-vjeçar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit