

POLIÇAN – Dhjetëra qytetarë protestuan këtë të enjte në Poliçan kundër planit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale 2.0. Banorët kundërshtuan propozimin që Bashkia e Poliçanit t’i bashkohet Bashkisë së Beratit, duke e cilësuar vendimin të padrejtë dhe me pasoja për të ardhmen e qytetit.
Gjatë protestës, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erion Zylyftari, njoftoi publikisht dorëheqjen nga detyra. Në fjalën e tij para qytetarëve, ai u shpreh se vendimi për shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit është një padrejtësi dhe një turp i madh ndaj banorëve të këtij qyteti.
Në shenjë revolte, protestuesit dogjën teserat e Partisë Socialiste në shesh, duke shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të qeverisë dhe mënyrës se si është propozuar reforma territoriale.
Banorët kërkuan që Poliçani të vijojë të jetë bashki më vete, duke theksuar se ndryshimi i statusit administrativ do të ndikojë negativisht në zhvillimin e qytetit dhe perspektivën e brezave të rinj.
Gjatë protestës u firmos edhe një peticion, përmes të cilit qytetarët kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në procesin e shkrirjes. Në pankartat e mbajtura nga protestuesit lexohej: “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit” dhe “Deputetë dele, mos e votoni reformën”.
Sipas propozimit të Reformës Administrativo-Territoriale 2.0, Bashkia e Poliçanit është një nga njësitë vendore që parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Beratit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






