

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk do të ishte kaq pranë, ai mund të ishte tërhequr nga politika pas 12 vitesh në drejtimin e vendit dhe Partisë Socialiste.
Gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë të PS-së dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, Rama tha se do të ishte larguar me mirënjohje, duke e cilësuar periudhën e tij në krye të qeverisë si një kohë me transformime të mëdha për vendin.
“Nëse dera e hapur e BE nuk do të ishte kaq afër, me shumë gjasë do të isha tërhequr me shumë mirënjohje të madhe në katundin tim të vogël, pas 12 viteve të jetuara me mish dhe me shpirt në krye të detyrës më të lartë që vendi jep”, u shpreh Rama.
Sipas tij, pavarësisht gabimeve dhe të metave, Shqipëria sot është ndryshe nga ajo që mori qeveria e tij në vitin 2013.
Rama theksoi se hapja reale e perspektivës europiane e bën mandatin e katërt një “vazhdim të natyrshëm” dhe deklaroi se do të vijojë punën deri në fund të tij për realizimin e objektivave të qeverisë.
“Deri në ditën e fundit të këtij mandati të katërt, bashkë me ju do të bëj të pamundurën që e gjithë partia jonë të nxjerrë gjithçka nga vetja për Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






