

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektoi sot ambientet e reja të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë Berat, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 253 milionë lekë, i projektuar sipas standardeve më të mira bashkëkohore.
Ai vlerësoi situatën e sigurisë në qarkun e Beratit, duke shtuar se është një ndër zonat që spikat për rendin dhe qetësinë publike, ndërsa nënvizoi se siguria mbetet një faktor kyç për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.
I pyetur nga gazetarët mbi lajmet e publikuara në disa portale, sipas të cilave ai kishte dhënë dorëheqjen, ministri Lamallari i hodhi poshtë këto pretendime.
"Unë nuk merrem me portalet, unë merrem vetëm me punë konkrete. Ky takim ku jemi sot është pjesë e punës së qeverisë shqiptare, ku edhe unë bëj pjesë," u përgjigj ministri.
Ai shtoi se qeveria ka përmbyllur një cikël të rëndësishëm investimesh në infrastrukturën e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin.
"Jam shumë i lumtur që kemi përfunduar ciklin e investimeve në drejtoritë vendore dhe komisariatet e Policisë së Shtetit. Kjo është e vetmja qeveri që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë Policisë së Shtetit, jo vetëm përmes investimeve në infrastrukturë dhe teknologji, por edhe në trajtimin më të mirë të efektivëve," deklaroi Lamallari.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






