

55 federatat anëtare të UEFA-s kanë votuar pro bojkotit të kompeticioneve të FIFA-s nëse institucioni i futbollit botëror vijon me planin për përfshirjen e investitorëve privatë në kompeticionet që organizon.
Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje urgjente të zhvilluar të enjten, ku u diskutuan propozimet e reja të FIFA-s dhe presidentit Gianni Infantino.
UEFA ka kundërshtuar hapur këtë projekt, duke argumentuar se kompeticione si Kupa e Botës nuk mund të trajtohen si produkte financiare për investitorë privatë. Sipas qëndrimit të federatave europiane, nëse plani miratohet, ato do të bojkotojnë të gjitha turnetë e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj, femra dhe Kupën e Botës për Klube.
Përplasja nisi pas planit të FIFA-s për të tërhequr rreth 3.1 miliardë paund investime private në kompeticionet e saj. Në mesin e investitorëve potencialë përmendet edhe një grup i udhëhequr nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner.
UEFA ka deklaruar se “Kupa e Botës nuk është në shitje”, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe konsultimit me federatat ndërkombëtare.
Edhe konfederata aziatike dhe CONCACAF kanë shprehur shqetësime për mënyrën e hartimit të këtij projekti.
FIFA pritet t’u kërkojë federatave anëtare të marrin një vendim përfundimtar deri më 19 shtator. Nëse UEFA qëndron në këtë pozicion, futbolli botëror mund të përballet me një nga përplasjet më të mëdha institucionale në historinë e tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






