Transmetuar më 30-07-2026, 17:08

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-oficerin e Policisë Gjyqësore, Igli Haxhiaj, me 2 vite e 8 muaj burg, pasi e shpalli fajtor për veprat penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, “Korrupsionit pasiv” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Trupi gjykues fillimisht e dënoi Haxhiajn me 4 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj. Gjykata vendosi gjithashtu që ai ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme dhe i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite. Dënimi llogaritet nga data e ndalimit, më 27 nëntor 2025.

Sipas SPAK, Haxhiaj, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore, zbuloi informacione që përbënin sekret hetimor në një procedim për trafik ndërkombëtar droge, duke paralajmëruar një nga personat nën hetim se ishte objekt përgjimesh dhe vëzhgimesh.

Prokuroria pretendon se ai i dha këto informacione në këmbim të 15 mijë eurove, bazuar në komunikimet e zbuluara në platformën Sky ECC.

Hetimet zbuluan gjithashtu se Haxhiaj kishte zhvilluar komunikime në Sky ECC lidhur me tregtimin e lëndëve narkotike, por nuk kishte referuar apo hetuar këto raste, duke shpërdoruar detyrën.

Procedimi penal ndaj tij ishte pjesë e një hetimi të përbashkët mes SPAK, Prokurorisë Antimafia të Breshias dhe Prokurorisë Federale të Zvicrës për një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit