

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për tragjedinë që i mori jetën 24-vjeçares Bleona Çelaj dhe dy fëmijëve të saj të mitur në fshatin Domen të Postribës, në Shkodër.
Nëna e Bleona Çelajt ka deklaruar në Policinë e Shkodrës se vajza e saj kishte kohë që, sipas saj, dhunohej nga bashkëshorti. Edhe pse në gjendje të rënduar psikologjike, ajo ka pohuar se familja kishte tentuar ta merrte 24-vjeçaren së bashku me dy fëmijët disa muaj më parë, por më pas ajo kishte vendosur të qëndronte pranë bashkëshortit.
Sipas dëshmisë së saj, Bleona nuk kishte telefon celular dhe komunikonte rrallë me familjen, ndërsa jetonte në Gjermani. Po ashtu, marrëdhëniet mes dy familjeve ishin të ftohta, gjë që, sipas burimeve, u reflektua edhe në ditën e tragjedisë.
Nga ana tjetër, bashkëshorti i viktimës ka mohuar të ketë pasur konflikte në çift, ndërsa mësohet se ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike pas humbjes së bashkëshortes dhe dy fëmijëve.
Megjithatë, grupi hetimor thekson se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka prova që pretendimet për dhunë të kenë lidhje me ngjarjen. Bazuar në këqyrjen e vendit të ngjarjes, provat materiale dhe ekspertizën mjeko-ligjore, hetuesit vijojnë të mbështesin pistën se zjarri ishte aksidental.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se një rrjedhje gazi nga një bombol e vogël ka shkaktuar shpërthimin, ndërsa prania e një shisheje me benzinë në banesë ka favorizuar përhapjen e menjëhershme të flakëve. Të gjitha provat materiale, përfshirë mbetjet e bombolës, janë sekuestruar dhe janë dërguar në Tiranë për ekspertizë.
Në momentin e ngjarjes, në banesën e braktisur ndodheshin vetëm Bleona Çelaj dhe dy fëmijët e saj, ndërsa bashkëshorti kishte dalë në një market. Familja ishte kthyer vetëm pak ditë më parë nga Gjermania për pushime.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet, ndërsa deri më tani kanë përjashtuar pistat e vetëvrasjes apo të një akti të qëllimshëm, duke e konsideruar ngjarjen një aksident tragjik.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






