

Pas rreth 24 orësh i bllokuar në një terren të vështirë malor, është bërë i mundur shpëtimi i një turisti polak në malin e Çikës, në Vlorë.
Shtetasi polak kishte nisur ditën e djeshme eksplorimin e zonës malore, por gjatë lëvizjes në terren pësoi dëmtime dhe nuk mundi të vijonte rrugën. Për shkak të terrenit të thepisur dhe kushteve të vështira, ai mbeti i izoluar dhe kërkoi ndihmë.
Pas marrjes së njoftimit, në zonë u angazhuan dy grupe kërkim-shpëtimi, të përbëra nga efektivë të Policisë së Vlorës, shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e zonave të mbrojtura. Pas disa orësh kërkimesh, ekipet arritën të lokalizonin turistin dhe nisën operacionin për nxjerrjen e tij nga zona.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë së transportimit me mjete tokësore, u kërkua edhe ndërhyrja ajrore. Operacioni përfundoi me sukses dhe turisti u nxor nga zona e rrezikshme, duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Mali i Çikës, me lartësi 2 044 metra, është një nga zonat më të vështira malore në jug të Shqipërisë dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Llogorasë. Gjatë sezonit turistik ai vizitohet nga shumë turistë vendas e të huaj, por terreni i thepisur dhe mungesa e përgatitjes për kushtet malore mund të sjellin situata të rrezikshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






