

JAPONI, 30 korrik 2026 – Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Japoninë juglindore ka shkuar në 34, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat më të prekura nga katastrofa natyrore.
Autoritetet në prefekturën Kumamoto, ku u regjistrua një nga zonat më të dëmtuara, njoftuan se shtatë trupa të tjerë u nxorën nga rrënojat e një qendre tregtare në Kashima, e cila u shemb pas një shpërthimi të ndodhur pak pas tërmetit.
Tetë viktima të tjera u konfirmuan në fabrikën “Nippon Paper” në qytetin Yatsushiro, ku një pjesë e strukturës u dëmtua rëndë. Pesë persona të tjerë ndodhen në gjendje kritike.
Tërmeti me magnitudë 7.1 goditi ishullin Kyushu, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, rrugë dhe infrastrukturë. Banesa u shembën, ura u dëmtuan, ndërsa disa zona u përfshinë nga zjarret. Mijëra familje mbetën pa energji elektrike dhe furnizim me ujë.
Një nga incidentet më të rënda ndodhi në qendrën tregtare “Aeon”, e cila fillimisht u evakuua pas lëkundjeve sizmike, por rreth 50 minuta më vonë u shkatërrua nga një shpërthim masiv. Në momentin e shpërthimit ende nuk ishte e qartë se sa persona ndodheshin brenda objektit.
Pamjet nga vendngjarja treguan ekipet e shpëtimit duke punuar mes rrënojave, strukturave metalike të dëmtuara dhe tavaneve të shembura. Ndërkohë, ekipet arritën të shpëtonin edhe 25 kafshë nga një dyqan kafshësh brenda të njëjtit kompleks, një lajm që u prit pozitivisht nga qytetarët.
Mijëra persona pa energji elektrike
Krahas dëmeve nga tërmeti, banorët po përballen edhe me temperaturat e larta të verës. Autoritetet paralajmëruan se temperaturat në rajon mund të arrijnë deri në 38 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim.
Pamjet televizive treguan radhë të gjata të qytetarëve për ujë dhe karburant, ndërsa rreth 13 mijë e 500 familje mbetën pa energji elektrike.
Qindra të moshuar janë strehuar në qendra komunitare, ku flenë në dyshekë të vendosur në ambiente të përbashkëta për t’u mbrojtur nga vapa. Autoritetet japoneze kanë dërguar rreth 100 pajisje ajri të kondicionuar në qendrat e emergjencës për banorët e prekur.
Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimit të dëmeve vijojnë në zonat më të goditura, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin gradual të shërbimeve bazë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






