

TIRANË, 30 korrik 2026 – Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
Në një intervistë për “Radio Beogradin”, Gjuriq tha se ishte i kënaqur me bisedimet e zhvilluara me homologun e tij shqiptar, ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, duke e cilësuar marrëveshjen si një hap të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Jam i kënaqur që pata bisedime kaq të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për të hapur zyra konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, deklaroi Gjuriq.
Sipas të dhënave të censusit të vitit 2023 në Shqipëri, komuniteti serb i vetëdeklaruar në vend përbëhet nga 584 persona, ndërsa 511 persona janë deklaruar si malazezë.
Nga ana tjetër, Bujanoci, së bashku me Preshevën dhe Medvegjën, përbën një nga zonat kryesore të banuara nga shqiptarët në Serbinë jugore, e njohur si Lugina e Preshevës.
Sipas censusit zyrtar serb të vitit 2022, në këtë rajon jetojnë rreth 57 mijë shqiptarë me banim të përhershëm, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë së zonës. Organizata për të drejtat e njeriut kanë ngritur ndër vite shqetësime për procesin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në këtë rajon.
Debati mbi hapjen e dy zyrave konsullore ka sjellë reagime në Shqipëri, ku disa figura politike kanë vënë në pikëpyetje nevojën e një konsullate serbe në Shkodër, duke argumentuar se numri i komunitetit serb në këtë zonë është i kufizuar.
Mbështetësit e marrëveshjes e shohin hapjen e zyrave konsullore si një instrument për rritjen e komunikimit dhe shërbimeve për qytetarët, ndërsa kritikët kërkojnë më shumë transparencë mbi arsyetimin diplomatik dhe kriteret që kanë çuar në këtë vendim.
Deri tani, autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar detaje të plota mbi marrëveshjen dhe procedurat konkrete për hapjen e zyrës konsullore në Bujanoc apo asaj serbe në Shkodër.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






