

SHKODËR, 30 korrik 2026 – Njoftimi për mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër ka shkaktuar reagime në opinionin publik. Ish-zyrtarja Marjana Koçeku ka kundërshtuar këtë zhvillim, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin dhe nevojën e një përfaqësie të tillë diplomatike në qytetin verior të Shqipërisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku iu referua deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, sipas të cilit Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
Ajo deklaroi se hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc do të kishte një arsye të qartë, duke pasur parasysh praninë e komunitetit shqiptar në atë zonë, ndërsa vuri në dyshim nevojën për një konsullatë serbe në Shkodër.
“Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka arsye dhe është e nevojshme, por hapja e një konsullate serbe në Shkodër është e çuditshme. Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër? Kujt i shërben ajo?”, u shpreh Koçeku.
Sipas saj, në njoftimin zyrtar të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd është përmendur vetëm hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndërsa nuk ka pasur referencë për një konsullatë serbe në Shkodër.
Koçeku argumentoi se, sipas praktikës ndërkombëtare për hapjen e konsullatave, një vendim i tillë zakonisht lidhet me praninë e një komuniteti të konsiderueshëm, interesa ekonomike, tregtare apo kulturore, si dhe me nevoja konkrete për shërbime konsullore.
Ajo iu referua gjithashtu të dhënave të censusit të vitit 2023, duke pretenduar se numri i personave të vetëdeklaruar si serbë në qarkun e Shkodrës është i ulët dhe nuk përbën, sipas saj, një bazë të mjaftueshme për hapjen e një konsullate.
Në reagimin e saj, Koçeku kërkoi që autoritetet shqiptare të japin sqarime për këtë çështje dhe të bëjnë një vlerësim të plotë të ndikimit që një hap i tillë mund të ketë në marrëdhëniet rajonale.
Ajo deklaroi se çdo zhvillim diplomatik me Serbinë duhet të trajtohet me transparencë dhe duke marrë në konsideratë interesin kombëtar të Shqipërisë dhe marrëdhëniet me Kosovën.
Deri tani, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një sqarim të detajuar publik lidhur me procedurat për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër.
REAGIMI I PLOTË-
Mediat serbe këto ditë kanë fillu me përhapë nji lajm që shpresoj nuk asht i vërtetë. Ministri i Jashtëm i Shqipnisë, z. Ferit Hoxha, dhe homologu i tij serb, z. Marko Gjuriq, paskan hy në bisedime për hapjen e nji konsullate serbe në Shkodër, mbas kërkesës dhe nevojës së kahershme për hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ku gjysma e popullsisë atje asht shqiptare.
Këtë e ka konfirmu vetë ministri serb për mediat, tue deklaru se, në parim, palët kanë ra dakord për këtë projekt diplomatik. Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Ambasadës Shqiptare në Beograd përmendet vetëm hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndërsa nuk ka asnji referencë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër.
Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka shumë arsye dhe asht e nevojshme, por hapja e nji konsullate serbe në Shkodër asht e çuditshme.
Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër? Kujt i shërben ajo konsullatë? Këtyne dhe shumë pyetjeve të tjera ministri jonë i jashtëm z. Hoxha duhet me iu dhanë përgjigje sa ma parë, nëse ky lajm asht i vërtetë.
Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore dhe praktikës ndërkombëtare, hapja e konsullatave lidhet zakonisht me ekzistencën e nji komuniteti të konsiderueshëm të shtetasve të shtetit dërgues, me interesa të rëndësishme ekonomike, tregtare apo kulturore, si edhe me nevojën për ofrimin e shërbimeve konsullore, për shkak të fluksit të udhëtimeve apo shkëmbimeve. Në rastin e Shkodrës, të paktën në të dhanat publike, këto elemente nuk rezultojnë me qenë të pranishme në përmasa që me e justifiku hapjen e nji konsullate serbe.
Në censusin e vitit 2023, në tanë qarkun e Shkodrës rezultojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruem si serbë, ndërsa 106 janë të deklaruem si malazezë. Po ashtu, 90 janë të deklaruem boshnjakë, 20 maqedonas dhe 26 bullgarë. Në total, në tanë qarkun e Shkodres janë 296 persona të komuniteteve sllavishtfolëse, ma pak se 0.2% e popullsisë, prej të cilëve vetëm 54 janë serbë.
Kjo don me thanë se hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk bazohet aspak në nevoja reale të komunitetit. Përkundrazi, e ban krejt të arsyeshëm dyshimin se kena të bajmë me nji lëvizje me interes gjeopolitik nga ana e Serbisë.
Megjithatë, para se me ndërmarrë hapa të tillë, Serbia ka ende çështje të rëndësishme të pazgjidhuna me Kosovën, sidomos në dritën e deklaratës së fundit të ministres serbe Paunoviq kundër Kosovës, e cila ngjalli reagime dhe shqetësim. Do kishte qenë e udhës që edhe autoritetet shqiptare të kishin mbajtë nji qëndrim ma të fortë. Por kjo nuk ka ndodhë dhe më bajnë jashtë mase përshtypje politikat e buta kundrejt Serbisë.
Përvoja historike na ka mësu se çdo zhvillim në marrëdhëniet me Serbinë duhet me u trajtu me kujdes dhe me vlerësim të plotë të pasojave. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërmarrje e tillë diplomatike meriton transparencë, debat publik dhe nji analizë të kujdesshme në funksion të interesit kombëtar.
Hapja e nji konsullate serbe në Shkodër nuk kishte me u shërby aspak interesave të shqiptarëve, por vetëm interesave të Serbisë, tue ia forcu edhe ma tej pozitat në rajon. Kjo nuk asht në përputhje as me interesat tona kombëtare, as me aspiratat euroatlantike të Shqipnisë.
Serbia nuk mund të konsiderohet nji partnere e afërt politike përderisa vazhdon me mbajtë qëndrime dhe me ndjekë politika që shpesh bien ndesh me interesat e shqiptarëve dhe të Kosovës. Prandaj, Shqipnia duhet me e trajtu me kujdes çdo hap që mundet me ndiku në balancat politike të rajonit, tue u udhëheqë gjithmonë nga interesi kombëtar, mbështetja për Kosovën dhe aspiratat tona identitare për të ardhmen.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






