

ROMË, 30 korrik 2026 – Roberto Mancini është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares së Italisë, duke marrë sërish drejtimin e “Axurrëve” pas disa vitesh nga largimi i tij i bujshëm në vitin 2023.
Vendimi për rikthimin e teknikut italian u mor nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malagò, i cili i besoi sërish trajnerit që udhëhoqi Italinë drejt triumfit në Kampionatin Europian të vitit 2021.
Gjatë konferencës së prezantimit, Mancini foli edhe për largimin e tij të mëparshëm nga pankina e Italisë, duke pranuar se mes tij dhe drejtuesve të federatës kishte pasur mungesë komunikimi.
“Tre vite më parë pati mungesë komunikimi mes meje dhe Gravina-s. Për mua Kombëtarja ishte si të humbisja gruan e jetës sime. Falë Malagò-s mora një mundësi të dytë dhe do të përpiqem ta shfrytëzoj në maksimum”, deklaroi Mancini.
Trajneri italian theksoi se objektivi i tij kryesor është rikthimi i identitetit të skuadrës që fitoi Europianin në vitin 2021, duke ndërtuar një ekip me mentalitet sulmues dhe duke i dhënë më shumë hapësirë talenteve të reja.
Sipas Mancinit, Italia vazhdon të prodhojë futbollistë me potencial, por ata kanë nevojë për më shumë minuta në fushë dhe më shumë besim nga klubet ku aktivizohen.
“Duhet të rikthejmë një skuadër konkurruese sa më shpejt. Futbolli italian ka lojtarë të rinj me cilësi, por duhet t’u japim mundësinë të rriten”, u shpreh ai.
Sa i përket objektivit madhor, rikthimit të Italisë në Kupën e Botës, Mancini u shfaq optimist dhe deklaroi se një kualifikim do ta vendoste skuadrën italiane mes pretendentëve për trofeun.
“Besoj se nëse Italia shkon në Botëror, atëherë mund të bëhet një nga favoritët, edhe nëse në letër nuk konsiderohet e tillë. Duhet të ndërtojmë një ekip të fortë dhe të besojmë te cilësitë tona”, tha trajneri i ri i “Axurrëve”.
Mancini foli edhe për repartin ofensiv, duke shprehur besim te sulmuesit e rinj italianë si Francesco Esposito, Moise Kean dhe Mateo Retegui.
“Shpresoj që Esposito, Kean dhe Retegui të arrijnë të shënojnë gjatë karrierës aq gola sa Immobile. Keanin e kam debutuar unë dhe e njoh shumë mirë. Nuk mendoj se kemi probleme të mëdha në sulm”, përfundoi Mancini.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






