Transmetuar më 30-07-2026, 11:01

Një nënë heroinë mund të konsiderohet 24 vjeçarja Blerina Çobaj e cila u përpoq të shpëtojë nga flakët dy fëmijët e saj motakë por nuk ia doli dot.

Blerina dhe fëmijët 18 muajsh dhe 3 vjeç, të cilët ndërruan jetë tragjikisht ditën e djeshme në Domen të Postribës për shkak të shpërthimit të një bombole gazi, sot përcillen në banesën e fundit mes dhimbjeje pa fund.

Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 15:00 ditën e sotme, dhe Blerina me dy engjëjt e saj do të prehen në varrezat e Domnit. Familja do të presë vizita ngushëllimi për tre ditë.

Kryefamiljari foli pas ngjarjes dhe tregoi me trishtim të thellë se në momentin që ka rënë zjarri ndodhej në një market për të blerë disa gjëra për familjen.

Ai tha se shishja e benzinës që është gjetur ishte marrë për të bërë riparime dhe pastrime në banesën tek e cila planifikuan të qëndronin vetëm disa orë.

Në vendngjarje, trupat e tre viktimave janë gjetur shumë pranë njëri-tjetrit. Kur ka rënë zjarri mendohet se nëna me nxitim ka mbrojtur fëmijët e saj. Dhe, duke mos mundur të dalë jashtë, i vogli i saj Amar vetëm 18 muajsh është gjetur në krahët e nënës së tij ndërsa fëmija tjetër Anuar shumë pranë tyre.

Dyshimet janë se zjarri shpërtheu kur një bombolë 5 litroshe gazi ka shpërthyer duke i marrë jetën nënës dhe fëmijëve.

Publikohet foto e nënës që humbi jetën me dy fëmijët e saj në tragjedinë e Shkodrës

Është publikuar fotoja e Bleona Çobaj (Çelaj), 24-vjeçares që humbi jetën së bashku me dy fëmijët e saj të mitur në tragjedinë e rëndë të ndodhur në fshatin Domen të Postribës, në Shkodër.

Nëna e re dhe dy fëmijët e saj, Amar dhe Anuar Çelaj, përkatësisht 18 muajsh dhe 3 vjeç, humbën jetën pasi banesa e vjetër familjare ku ndodheshin u përfshi nga zjarri në rrethana që po hetohen ende nga autoritetet.

Familja Çelaj, e cila jetonte në Gjermani dhe kishte ardhur në Shqipëri për pushime, kishte shkuar në banesën e vjetër në Domen për ta pastruar dhe për të qëndruar disa orë aty. Por ajo që duhej të ishte një vizitë familjare u kthye në një ngjarje tragjike.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, tre viktimat janë gjetur shumë pranë njëra-tjetrës brenda banesës së djegur. Dyshohet se në momentet e zjarrit nëna ka tentuar të mbronte fëmijët e saj. Foshnja 18-muajshe është gjetur në krahët e saj, ndërsa fëmija tjetër pranë tyre.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshimin se zjarri mund të ketë nisur nga një problem me një bombolë të vogël gazi, e cila është gjetur pjesërisht e dëmtuar në vendngjarje dhe është sekuestruar si provë materiale.

Bashkëshorti i viktimës ka deklaruar para hetuesve se familja kishte marrë me vete edhe një shishe benzine për disa punime në banesën e vjetër. Ai ka treguar se ishte larguar për pak kohë për të blerë disa produkte dhe, gjatë mungesës së tij, shtëpia ishte përfshirë nga flakët.

Banesa ndodhej në një zonë të izoluar, pa ndërtesa të tjera pranë, çka ka bërë që zjarri të konstatohej me vonesë. Terreni i vështirë dhe mungesa e një njoftimi të menjëhershëm kanë ndikuar në pasojat fatale të ngjarjes.

Ekspertiza do të përcaktojë shkakun përfundimtar të zjarrit, ndërsa opinioni publik vijon të jetë i tronditur nga humbja e nënës së re dhe dy fëmijëve të saj.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit