

MAMURRAS, 30 korrik 2026 – Disa mjete pune të një kompanie private që ushtron aktivitet në fushën e nxjerrjes së inerteve janë përfshirë nga flakët mbrëmjen e së mërkurës në Mamurras, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacioneve paraprake, disa ekskavatorë dhe mjete të tjera të rënda pune janë shkrumbuar plotësisht nga zjarri. Rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim.
Pronarja e kompanisë DU-ER, Rovena Karaj, ka ngritur dyshime se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme. Në një deklaratë për mediat, ajo bëri të ditur se ka kallëzuar rastin në Komisariatin e Policisë Kurbin dhe ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Karaj deklaroi se djegia e mjeteve nuk lidhet me aktivitetin e kompanisë në zonë, ndërsa pretendon se pas ngjarjes mund të qëndrojnë persona me precedentë penalë, të cilët, sipas saj, kanë vepruar për qëllime gjobëvënieje.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të identifikuar autorët e mundshëm, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar mbi pistat kryesore që po verifikohen.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






