

KRETË, 30 korrik 2026 – Situata nga zjarret në ishullin e Kretës mbetet kritike, ndërsa flakët vijojnë të jenë jashtë kontrollit në rajonin e Rethimnos. Erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e zjarrit, duke krijuar një front me gjatësi mbi 15 kilometra.
Autoritetet greke kanë përforcuar operacionin për shuarjen e flakëve, duke angazhuar 224 zjarrfikës, 53 automjete zjarrfikëse dhe 11 ekipe këmbësore. Mjetet ajrore nisën operacionet që në orët e para të mëngjesit, por ndërhyrja e tyre është kufizuar nga kushtet e vështira atmosferike dhe erërat e forta.
Gjatë natës u zhvillua një operacion i gjerë evakuimi në zonën turistike të Agia Galinit, ku rreth 2 mijë turistë të huaj u larguan nga hotelet dhe strukturat akomoduese. Ata u transferuan në ambiente të sigurta, përfshirë hotele të tjera dhe palestrën e mbyllur në Iraklio.
Sipas autoriteteve lokale, nga zona më e gjerë e Agia Galinit janë evakuuar mijëra banorë dhe vizitorë. Për strehimin e tyre janë siguruar ushqime, dyshekë dhe materiale të tjera të nevojës së parë, me mbështetjen e Kryqit të Kuq, policisë, bashkive dhe vullnetarëve.
Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe bujqësore, ullishte, stane, banesa dhe ka shkaktuar humbje të kafshëve. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë për zona të banuara, por situata mbetet me rrezik të lartë.
Flakët shpërthyen pasditen e së mërkurës në zonën Kria Vrisi dhe, të favorizuara nga erërat, u përhapën me shpejtësi drejt jugut të Rethimnos.
Bilanci i operacioneve është rënduar edhe nga humbja e jetës së dy zjarrfikësve, 58 dhe 25 vjeç, të cilët mbetën të bllokuar nga flakët gjatë ndërhyrjes. Një zjarrfikës i tretë humbi jetën në një operacion tjetër për shuarjen e zjarreve në Gythio, në rajonin e Peloponezit.
Ndërkohë, situata paraqitet më e stabilizuar në Plomari të ishullit Lesvos, megjithëse erërat vijojnë të favorizojnë krijimin e vatrave të reja. Në Sitia, zjarri është kufizuar në një zonë malore të vështirë për t’u arritur dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Vatra zjarri janë raportuar edhe në ishuj të tjerë, përfshirë Parosin, ndërsa autoritetet greke mbeten në gatishmëri të lartë, pasi parashikohet që erërat në detin Egje të arrijnë deri në tetë ballë, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






