Transmetuar më 30-07-2026, 10:12

GJKKO konfiskon 21 pasuri të pesë personave të hetuar për trafik ndërkombëtar droge në Belgjikë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur konfiskimin e 21 pasurive të luajtshme, të paluajtshme dhe llogarive bankare që u përkasin pesë personave nën hetim dhe personave të lidhur me ta.

Vendimi nr. 13 u shpall këtë të mërkurë nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme. Pasuritë do të kalojnë në pronësi të shtetit në zbatim të ligjit nr. 10 192, i njohur si ligji “Anti-Mafia”.

Hetimi pasuror është zhvilluar ndaj Eridan Munoz Guerrero, Deljana Nebiut, Sokol Çamerit, Julian Veliut dhe Lenkos Nebiut, si dhe ndaj personave të tretë të përfshirë në këtë proces.

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, pasuritë e konfiskuara përfshijnë apartamente banimi, njësi shërbimi, ambiente garazhi, banesa me sipërfaqe trualli, automjete dhe llogari bankare me vlera në lekë dhe euro. Pjesa më e madhe e pasurive ndodhet në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

Mes pronave të kaluara në favor të shtetit janë disa apartamente dhe njësi tregtare në pronësi të Deljana Nebiut dhe Eridan R. Nebiut, të përfituara nëpërmjet kontratave të shitblerjes ose dhurimeve nga shoqëri ndërtimi dhe persona privatë.

Gjykata ka konfiskuar gjithashtu banesa njëkatëshe dhe sipërfaqet përkatëse të truallit, të regjistruara në emër të bashkëshortëve Eridan R. Çameri/Nebiu dhe Deljana V. Nebiu, si dhe në emër të Sokol R. Çamerit dhe Julian R. Veliut.

Në listën e pasurive të konfiskuara përfshihet edhe një automjet i markës Audi A8, i vitit të prodhimit 2014, si dhe një rimorkio e posaçme transporti, e importuar nga Italia.

Gjykata ka vendosur kalimin në favor të shtetit edhe të gjendjeve monetare në lekë dhe euro që ndodheshin në disa banka të nivelit të dytë, në emër të Deljana Nebiut dhe Julian Rexhepit, i njohur edhe me mbiemrin Veliu. Këto llogari ishin sekuestruar më herët në kuadër të bashkëpunimit dhe letërporosive të autoriteteve belge.

Në të njëjtin vendim, GJKKO ka urdhëruar heqjen e sekuestros për pesë pasuri të tjera, pasi gjatë procesit nuk u provua lidhja e tyre me veprimtarinë e dyshuar kriminale.

Nga sekuestrimi janë liruar dy apartamente në pronësi të Deljana Nebiut, një apartament me sipërfaqe 97 metra katrorë në emër të shtetases me inicialet A. N., si dhe dy automjete të markave Mercedes-Benz dhe Ford Mustang.

Në zbatim të nenit 28 të ligjit “Anti-Mafia”, vendimi i konfiskimit është i ekzekutueshëm menjëherë pas shpalljes. Administrimi dhe përdorimi i mëtejshëm i pasurive do t’i kalojë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.

Palët kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Personat e përfshirë në hetimin pasuror janë akuzuar nga autoritetet e drejtësisë në Mbretërinë e Belgjikës për pjesëmarrje në një organizatë kriminale me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe për pastrim të produkteve të veprës penale.

Këto vepra penale parashikohen edhe nga nenet 283/a, 287 dhe 333/a të Kodit Penal shqiptar. Nëpërmjet letërporosive dhe shkëmbimit të informacionit me autoritetet belge, SPAK identifikoi dhe sekuestroi pasuritë që dyshohej se ishin krijuar ose përfituar nga veprimtaria kriminale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit