

TIRANË, 30 korrik 2026 – Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar kontrolle në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas burimeve, kontrollet janë kryer në katër banesa dhe ambiente zyrash biznesi të personave që dyshohet se kanë lidhje me çështjen në kuadër të hetimeve për lotet e tenderit të Unazës së Madhe
Veprimet hetimore vijnë pasi gjatë verifikimeve të deritanishme janë ngritur dyshime për elementë të rinj që lidhen me dosjen në hetim.
Ndërkohë, SPAK pritet t’i komunikojë Ballukut nesër më 31 korrik zgjatjen e afatit të hetimeve edhe me tre muaj. Një ditë më parë iu komunikua vendimi edhe Gentian Gjylit dhe Erald Elezit.
Në tetor të vitit 2025, Balluku u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në lidhje me procedurën e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë.
Një muaj më vonë, ajo u vu nën hetim edhe për procedurat që lidhen me shtatë lotet e projektit të Unazës së Madhe në Tiranë, ndërsa iu komunikua edhe masa e pezullimit nga detyra.
Hetimet ndaj ish-zyrtares vijojnë, ndërsa SPAK nuk ka bërë ende publike detaje të tjera mbi kontrollet e zhvilluara apo personat e përfshirë në këtë fazë të procedimit penal.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






