

SHKODËR, 30 korrik 2026 – Pas tragjedisë që i mori jetën një 24-vjeçareje dhe dy fëmijëve të saj në fshatin Domen të Shkodrës, autoritetet e mbrojtjes nga zjarri u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos përdorin bombolat 5-litërshe të gazit, të cilat konsiderohen me rrezik të lartë për shpërthim.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë, ku Bleona Çobaj (Çelaj) dhe dy fëmijët e saj, Amar dhe Anuar Çelaj, të moshës 18 muajsh dhe 3 vjeç, humbën jetën pas një shpërthimi të dyshuar të një bombole artizanale gazi pranë një banese të vjetër në pronësi të familjes, e cila kishte rreth 20 vite e braktisur.
I ftuar në emisionin “Repolitix” në Report Tv, shefi i zjarrfikësve të Njësisë Administrative nr. 6 në Tiranë, Luan Shehu, deklaroi se bombolat 5-litërshe të gazit, të identifikueshme zakonisht nga ngjyra portokalli, janë prej vitesh në listën e pajisjeve që nuk rekomandohen për përdorim shtëpiak për shkak të rrezikut të lartë që paraqesin.
Sipas tij, shërbimi zjarrfikës ka zhvilluar prej vitesh fushata ndërgjegjësuese për largimin e këtyre bombolave nga banesat, por ende ka familje që i mbajnë dhe i përdorin.
"Problemi ka mbetur gjithmonë te këto bombola të vogla. Ne kemi insistuar vazhdimisht, si te familjarët ashtu edhe gjatë trajnimeve në shkolla, që ato të hiqen nga përdorimi. Megjithatë, ende ka qytetarë që i mbajnë nëpër shtëpi dhe kjo është shumë e rrezikshme", u shpreh Shehu.
Zjarrfikësi theksoi se shpërthimi në Shkodër ka krijuar një valë të fuqishme goditëse, e cila ka shkatërruar elementët më të dobët të ndërtesës dhe është shoqëruar me flakë që janë përhapur me shpejtësi për shkak të materialeve të përdorura në arredimin e banesave moderne.
Sipas vlerësimit të tij, forca e shpërthimit ka qenë aq e madhe sa viktimat mund të kenë humbur jetën në mënyrë të menjëhershme, përpara se zjarri të përhapej në të gjithë objektin.
Rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë të hetohen nga autoritetet, ndërsa ekspertiza pritet të përcaktojë shkakun përfundimtar të shpërthimit.



Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






