

PRISHTINË, 30 korrik 2026 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zhvillon sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku 355 delegatë do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë partinë apo do të largohet nga posti i kryetarit.
Kuvendi është thirrur pasi u përmbushën të gjitha procedurat statutare dhe kërkesa për mbajtjen e tij u mbështet nga të paktën një e treta e delegatëve, kriter i domosdoshëm për organizimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme.
Trupi i Kuvendit përbëhet nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve të LDK-së, ndërsa kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, është delegat me të drejtë automatike, duke e çuar numrin total të votuesve në 355.
Pas verifikimit nga Sekretariati i Përgjithshëm se ishin plotësuar të gjitha kushtet statutare, Abdixhiku caktoi mbajtjen e Kuvendit, i cili nis në orën 18:00, në përputhje me Statutin e partisë.
Nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit u dorëzuan në mesin e muajit korrik. Pas nisjes së procesit, Abdixhiku pezulloi negociatat për formimin e institucioneve të reja të Kosovës deri në përfundimin e procesit të votëbesimit ndaj tij.
Në mbledhjen e sotme do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur nga një grup anëtarësh për shkarkimin e kryetarit të partisë. Nëse Abdixhiku arrin të sigurojë votëbesimin e delegatëve, ai do të vijojë të drejtojë LDK-në. Në të kundërt, partia do të nisë procedurat për zgjedhjen e një kryetari të ri.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova, është një nga forcat politike më të vjetra në vend dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






