Transmetuar më 30-07-2026, 08:04

Qytetarët pritet të zhvillojnë këtë të enjte protestën e 61-të radhazi në Tiranë, duke vijuar kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit.

Sipas organizatorëve, protestuesit do të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të përcillen mesazhet e tyre.

Protesta nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec, por më pas u shndërrua në një lëvizje me kërkesa politike, ku në qendër mbetet dorëheqja e kryeministrit. Me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar, pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për ndryshim, ndërsa në tubime kanë marrë pjesë qytetarë të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme.

Gjatë marshimeve të zhvilluara deri më tani, protestuesit kanë ndaluar edhe pranë institucioneve shtetërore, përfshirë Kuvendin, ku kanë shprehur qëndrimet e tyre përmes thirrjeve dhe sloganeve.

Organizatorët kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore:

Dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor. Ndryshime kushtetuese dhe ligjore, përfshirë reformimin e Kodit Zgjedhor, ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike. Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin ligjor për investimet strategjike. Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, pas një procesi konsultimi me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë.

Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit