

Greqia vijon të përballet me një valë zjarresh të përmasave të mëdha, ndërsa autoritetet po zhvillojnë operacione intensive për vënien e situatës nën kontroll. Sipas mediave greke, tre zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë ndërhyrjeve në zona të ndryshme të vendit.
Sipas Shërbimit Zjarrfikës të Greqisë, dy efektivë të repartit të Kretës, të moshës 25 dhe 58 vjeç, humbën jetën në zonën e Rethymnos, pasi u rrethuan nga flakët gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit. Më vonë, autoritetet gjetën automjetin e tyre plotësisht të djegur. Dy zjarrfikës të tjerë mbetën të plagosur rëndë dhe po marrin trajtim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Viktima e tretë u regjistrua në zonën e Gjithios, në Peloponez. Sipas autoriteteve, shefi 30-vjeçar i zyrës rajonale të zjarrfikësve në Lakoni ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak, i cili dyshohet se u shkaktua nga lodhja ekstreme dhe sforcimi fizik gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, beteja me zjarret vijon me intensitet në Peloponez, në ishullin Paros, në Mitilini dhe në Kretë, ku vatra është përhapur në një front prej më shumë se 15 kilometrash, mes Rethymnos dhe Hanias.
Në operacionet e emergjencës janë angazhuar qindra zjarrfikës dhe vullnetarë, të cilët po punojnë në kushte tepër të vështira, me temperatura që afrohen me 40 gradë Celsius dhe erëra që arrijnë deri në 8 ballë sipas shkallës Bofor, duke favorizuar përhapjen e flakëve.
Në zonën e Hanias, rreth 2 mijë banorë dhe turistë u evakuuan nga deti me anije dhe mjete të tjera lundruese, pasi rrugët tokësore nuk ofronin kushte të sigurta largimi.
Autoritetet greke kanë paralajmëruar se situata mbetet kritike dhe pritet të vijojë edhe gjatë 48 orëve të ardhshme. Mbrojtja Civile u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve në zonat e prekura nga zjarret.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






