Transmetuar më 30-07-2026, 07:50

Digjitalizimi i shërbimeve publike në Shqipëri po rrit me ritme të shpejta numrin e përdoruesve, veçanërisht mes të rinjve dhe qytetarëve në moshë aktive pune. Megjithatë, ky proces po thellon hendekun digjital për brezat më të moshuar, të cilët vijojnë të hasin vështirësi në përdorimin e platformës qeveritare e-Albania.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, grupmoshat 25–34 vjeç dhe 35–44 vjeç përbënin gjatë vitit 2025 rreth 51% të totalit të përdoruesve të platformës për shkarkimin dhe printimin e dokumenteve zyrtare. Edhe grupmosha 45–54 vjeç ruan një prani të konsiderueshme, duke zënë 23% të përdoruesve, ndërsa të rinjtë e moshës 16–24 vjeç përfaqësojnë rreth 15.4% të totalit.

Në të kundërt, pjesëmarrja e qytetarëve mbi 55 vjeç mbetet dukshëm më e ulët, pavarësisht se kjo kategori përbën mbi 40% të popullsisë së vendit. Të dhënat tregojnë një rënie të ndjeshme të përdorimit të shërbimeve digjitale nga kjo grupmoshë. Pesha e përdoruesve 55–64 vjeç është përgjysmuar brenda një viti, duke zbritur nga 16.5% në vitin 2024 në vetëm 7.2% në vitin 2025.

Situata paraqitet edhe më shqetësuese për grupmoshën 65–74 vjeç, e cila përfaqëson vetëm 2.8% të përdoruesve të platformës. Me kalimin e një numri gjithnjë e më të madh shërbimesh në format ekskluzivisht online, shumë të moshuar mbeten të varur nga ndihma e familjarëve ose e personave të tretë për të kryer procedurat administrative, shpesh duke përballuar edhe kosto shtesë për shërbime bazë, si sigurimi i një certifikate.

Ekspertët vlerësojnë se mungesa e njohurive digjitale, si dhe procedurat gjithnjë e më komplekse të identifikimit elektronik, përfshirë përdorimin e kodeve OTP (One-Time Password) përmes telefonit ose postës elektronike, krijojnë pengesa të konsiderueshme për qytetarët e moshës së tretë.

Ndërkohë, mungesa e pikave të asistencës publike dhe e programeve të trajnimit të përshtatura për pensionistët po e bën edhe më të vështirë integrimin e tyre në shërbimet digjitale, duke rritur rrezikun e përjashtimit nga aksesi i drejtpërdrejtë në shërbimet publike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit