Transmetuar më 30-07-2026, 07:46

Një aksident i rëndë ajror ka tronditur Argjentinën, ku një helikopter është rrëzuar gjatë një stërvitjeje për shuarjen e zjarreve në pyje, duke i marrë jetën të shtatë anëtarëve të ekuipazhit.

Helikopteri i tipit Bell 412 u rrëzua pak minuta pas ngritjes në zonën e San Juanit. Në bord ndodheshin drejtues të Policisë, Shërbimit Zjarrfikës dhe Mbrojtjes Civile, të cilët po merrnin pjesë në një program trajnimi për menaxhimin e emergjencave të shkaktuara nga zjarret në pyje.

Sipas autoriteteve, mjeti ajror humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror teksa fluturonte në një lartësi prej rreth 4 mijë metrash mbi nivelin e detit, pak para orës 10:30 me orën lokale. Edhe pse kushtet atmosferike ishin të favorshme për zhvillimin e stërvitjes, shkaqet e rrëzimit mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve.

Programi i trajnimit ishte organizuar nga Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikësve dhe kishte si synim përgatitjen e rreth 50 pjesëtarëve të ekipeve lokale të emergjencës për ndërhyrje në rast zjarresh në pyje.

Autoritetet kanë konfirmuar se mes viktimave janë zëvendësshefi i Policisë së San Juanit, Marcelo Videla, shefi i zjarrfikësve, Ruben Castro, drejtori i Mbrojtjes Civile, Carlos Heredia, si dhe zëvendësshefi i zjarrfikësve, Jorge Carbajal.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit