

Tiranë – Këshilli i Europës ka kërkuar që reforma e re territoriale në Shqipëri të zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, duke theksuar se çdo ndryshim në organizimin administrativ duhet të mbështetet në analiza të plota dhe konsultime reale me pushtetin vendor dhe komunitetet e prekura.
Në një draft-raport për Shqipërinë, institucioni europian vlerëson se përgatitja e reformës së planifikuar për vitin 2026 nuk duhet të zhvillohet me nxitim, pasi ekziston rreziku që konsultimet me bashkitë dhe qytetarët të mbeten vetëm formale nëse respektohen afatet e shpallura për zbatimin e saj.
Sipas dokumentit, njësitë e qeverisjes vendore kanë pasur deri tani një rol të kufizuar në proces, ndërsa paralajmërohet se përfshirja e tyre vetëm në fazat e fundit të vendimmarrjes mund të kufizojë mundësinë për të dhënë kontribut të rëndësishëm dhe për t’u përgatitur për zbatimin e ndryshimeve.
Raporti evidenton gjithashtu se një pjesë e rëndësishme e shërbimeve publike, si menaxhimi i mbetjeve, furnizimi me ujë dhe arsimi, vazhdojnë të administrohen kryesisht nga pushteti qendror. Sipas raportuesve, kjo kufizon rolin e bashkive dhe nuk duhet të përdoret si argument për t’u reduktuar më tej kompetencat.
Këshilli i Europës rekomandon që reforma të mos fokusohet vetëm te numri i bashkive apo ndryshimi i kufijve administrativë, por të përfshijë edhe një rishikim të rolit të qarqeve. Sipas draft-raportit, në organizimin aktual qarqet nuk i plotësojnë plotësisht kriteret për t’u konsideruar njësi të mirëfillta të vetëqeverisjes vendore.
Rekomandimet janë pjesë e draft-raportit dhe pritet të shqyrtohen në kuadër të dialogut mes autoriteteve shqiptare dhe institucioneve të Këshillit të Europës për reformën territoriale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






